Përkeqësohet cilësia e ujit në plazhe, pikat me ndotjen më të lartë

Monitorimi i ujërave të detit në plazhet e vendit ka nxjerrë në pah përkeqësimin e gjendjes në shumicën e tyre.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në raportin vjetor të publikuar pak ditë më parë, ka renditur më shumë plazhe që janë përkeqësuar në cilësi të ujit sesa plazhe që janë përmirësuar. Nga Jugu në Veri, numri i plazheve me cilësi të shkëlqyer të ujërave ka ardhur në ulje.

Sipas të dhënave, numri i stacioneve të kategorisë A – Cilësisë shumë të mirë, për plazhet e monitoruara për vitin 2023 është më i ulët në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

“Numri i stacioneve të kategorisë B – Cilësisë së mirë – për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

Numri i stacioneve të kategorisë C – Cilësisë së mjaftueshme për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

Numri stacioneve të kategorisë D – Cilësisë së keqe për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022”, thuhet në raport.

I njëjti raport nënvizon se Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave.

Por cilat janë plazhet dhe gjetjet e raportit të AKM për to nga Veriu në Jug?

Velipoja

Në plazhin e Velipojës për vitin 2023, numri i stacioneve që i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave është më i ulët se vitet e mëparshme.

Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë e ujërave dhe i kategorisë C- Cilësi e mjaftueshme për vitin 2023 është më i lartë se vitet e kaluara. Pra kemi një tendencë në ulje të cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të mirë.

Shëngjini dhe Tale

Për vitin 2023, rezulton se nuk kemi stacione që i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave, krahasuar me vitet e mëparshme. Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësisë së keqe të ujërave, për vitin 2023 është i lartë.

Për Plazhin Tale në vitin 2023, është rritur numri i stacioneve të Kategorisë B- cilësi e mirë dhe Cilësi e mjaftueshme. Nuk kemi stacione të kategorisë A- cilësi e shkëlqyer. Vlerësohet tendencë në ulje e cilësisë të ujërave krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të mjaftueshme.

Plazhet e Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit

Plazhet e Durrësit për vitin 2023, sipas rezultateve bakteriologjike vlerësohen: të kategorisë B Cilësisë së mirë për 7 pika monitorimi, të Kategorisë C- Cilësisë së mjaftueshme për 3 pika monitorimi, dhe të kategorisë D- Cilësisë së keqe për 11 pika monitorimi.

Numri stacioneve të kategorisë B – Cilësia e mirë e ujërave për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 dhe më i ulët se vitet 2021, 2022.

Numri stacioneve të kategorisë C – Cilësia e mjaftueshme e ujërave, për vitin 2023 është më i ulët se në vitet 2016, 2017, 2019, dhe është më i lartë në krahasim me 2018, 2020, 2021, 2022. Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësia keqe/ Masa të menjëhershme, për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet e kaluara.

Për plazhin e Lalzit në periudhën 2020-2022, të gjitha stacionet i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave, pa ngarkesa mikrobike. Kurse për vitin 2023 kemi uljen e numrit të stacioneve të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer dhe rritjen e stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë.

Plazhi i Kavajës (Golem)

Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësia keqe/ Masa të menjëhershme, për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet e mëparshme. Vihet re tendencë në ulje e cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer dhe e mirë (2022) në cilësi të mirë dhe të keqe (2023).

Plazhi i Qerretit

Shihet një përkeqësim i cilësisë të ujërave krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të keqe.

Plazhi i Spillesë

Gjatë vitit 2023 vihet re një ulje e cilësisë. Ujërat janë të kategorisë D- Cilësi e keqe/ Masa të menjëhershme në krahasim me vitin 2022, ku plazhet ishin të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Semanit dhe i Divjakës

Për vitin 2023 ka një ulje të kategorisë A-cilësi e shkëlqyer të ujërave, në krahasim me tre vitet 2020, 2021, 2022 ku të gjitha pikat e monitorimit të analizuara, vlerësohen të Kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Divjakës gjatë vitit 2023 rezultojnë të kenë ulje e cilësisë së ujërave në krahasim me vitet e mëparshme, të cilat i përkisnin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer në të gjitha stacionet e monitorimit.

Plazhet e Zvërnecit, Vlorës dhe Orikumi

Në Zvërnec kemi një përmirësim të dukshëm të cilësisë gjatë viteve 2022-2023, ku të gjitha stacionet janë të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave krahasuar me vitin 2021.

Për vitin 2023, kemi tendencë në ulje të stacioneve që i përkasin kategorisë A – Cilësi e shkëlqyer. Numri i stacioneve të kategorisë C- Cilësisë së mjaftueshme të ujërave dhe i kategorisë D Cilësisë së keqe të ujërave, ka tendencë në rritje krahasuar me vitin 2022. Kjo tregon përkeqësim të cilësisë të ujërave.

Plazhet e Palasës, Drimadhes, Dhërmiut, Jalit, Livadhes,

Plazhi i Palasës për periudhën 2020-2023 ka cilësi të shkëlqyer të ujërave. Të gjitha stacionet i përkasin kategorisë ACilësi e shkëlqyer e ujërave.

Për plazhin e Dhërmiut për vitin 2023, numri i stacioneve që i përket kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave është më të ulët se në vitet e kaluara. Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë, (33.3%) është më të lartë se vitet e kaluara.

Plazhet e Jalit, gjatë periudhës 2020 – 2023, i përkasin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Livadhes përgjatë periudhës së monitorimit 2021-2023, i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer. Ujërat janë pa ngarkesa mikrobiale.

Plazhi i Qeparoit

Për vitin 2023 nuk kemi stacione që i përkasin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave. Kjo tregon një tendencë në ulje të cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer (2020- 2022) në cilësi të mirë(2023).

Plazhi i Borshit

Për plazhin e Borshit për vitin 2022 dhe 2023, cilësia e ujërave i përket kategorisë A-Cilësi e shkëlqyer 100%, pa ngarkesa mikrobiale në krahasim me vitin 2021, ku 33% e stacioneve i përkisnin cilësisë të mirë.

Plazhi i Lukovës

Për periudhën 2020-2023, vlerësohet se Plazhi i Lukovës i përket kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhi i Sarandës

Për vitin 2023 kemi rritje të stacioneve që i përkasin kategorisë A -Cilësi e shkëlqyer krahasuar me 2022. Numri i stacioneve të kategorisë D – Cilësi e keqe/Masa të menjëhershme, për vitin 2023 janë më të ulëta krahasuar me vitin 2022.

Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësisë së mirë të ujerave janë më të larta krahasuar me periudhën 2016-2020 dhe më të ulëta krahasuar me vitet 2021 dhe 2022. Kemi një tendencë në ulje të cilësisë së ujërave për tre vitet e fundit (2021-2023) krahasuar me vitet e mëparshme.

Plazhi i Ksamilit

Për vitin 2023, ujërat e kategorisë A – Cilësi e shkëlqyer janë në ulje krahasuar me periudhën 2020 – 2022. Nuk kemi stacione të kategorisë D – Cilësi e keqe/Masa të menjëhershme, për vitin 2023.

Kjo tregon përmirësim të situatës krahasuar me 2022 ku 33% e stacioneve i përkisnin kësaj kategorie./Monitor

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …