Nga Iva V.GRILLO
Ditët e fundit rrjetet sociale zienin nga zhgënjimi, revolta apo edhe satira me përçudnimin që i ishte bërë figurës së Skënderbeut për shkak të një busti me tipare disi të dyshimta të heroit por dhe për shkak të një “konglomerati” simbolesh të sajuara që “dekoronin” bustin e Kastriotit.
Pa u futur në karakteristikat e veprës të cilat gjithkush mund t’i vlerësojë vetë, pyetja që lind natyrshëm është:
A ka vërtetë njerëz që vënë në dyshim se propaganda “rilindase” do të kursejë të vdekurit ndërkohë që përdhos përditë të gjallët e këtij vendi?
Radha do t’i vinte patjetër edhe Skënderbeut, sepse kur të gjallët nuk zënë sheshet për pronat e tyre, shëndetin e tyre, fjalën e tyre të lirë…zor se bën ndonjë ndryshim fakti nëse busti i ngjan vërtetë heroit apo ndonjë zuzari kontemporan … nëse e ka hundën shkabë siç e kemi imagjinuar apo të ngerdheshur si ndonjë telendar podcastesh… nëse ka një apo asnjë kunadhe mbi supe…
Një shoqëri që duron zgjedhën e një regjimi zuzarësh dhe nuk mbron dot të gjallët e vet, nuk besoj se ka mundësi të ruajë nga përçudnimi të vdekurit vet…
Ndaj asnjë çudi që i erdhi radha edhe Skënderbeut…