Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI

Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë dashurie në propagandë qeverrie. Kjo vjen në radhën e shumë akteve të tjera për të vrarë simbolet dhe ndjenjat e kombit duke i ngjyrosur ato me bojëra të ndezura si fasadat e Tiranës. Kur nuk ke të mbathura dhe je lakuriq para gjithë botës edhe një mbreti i mbushet mendja se ngjyrat mund ta tregojnë të veshur. Kjo vërteton urrejtjen e njerëzve për mbretin dhe e njëjta gjë vlen për bojaxhinjtë e patriotizmit në Shqipëri që sërish tregojnë urrejtjen e tyre për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

Ka dy grupe individësh që e bëjnë këtë. Grupi i parë dhe tradicional në Shqipërinë e post komunizmit, janë komunistët dhe fëmijët e tyre që urrejnë qytetarët për përmbysjen në 1990. Sistemi që kishin ndërtuar dukej i pathyeshëm dhe zhgënjimi kur u përmbysën ishte i madh. Forca e zhgënjimit i bën njerëzit të përjetojnë gjithë jetën momentin e zhgënjimit dhe kur vjen momenti i shpresës ata sërish kërkojnë shkatërrimin e ambientit që u krijoi shkatërrimin dhe janë të gatshëm të shërbejnë antishqiptarët duke u ekzaltuar në mënyrë të gënjeshtërt për ngjyrat që mbulojnë mizerien ku ka rënë vendi.

Ndërkohë kur flasim për antishqiptarët hyjmë në grupin e dytë të bojaxhinjve të patriotizmit në Shqipëri. Antishqiptarët janë globalistët që qeverrisin sot në Shqipëri dhe përdorin çdo mbetje të dëshpëruar të së shkuarës. Këta janë hapur kundër simboleve dhe traditës në Shqipëri. Nuk dalin vetë me deklarata, pasi u duhet të jenë politikanë, por përdorin të tjerë që mundohen të bëjnë qesharake çdo gjë serioze dhe tradicionale në Shqipëri. Këta e urrejnë Shqipërinë dhe Shqiptarët dhe mundohen që të mbajnë perden e bojërave mbi mjerimin dhe mizerien. Soros ishte mjeshtër kur caktoi që Shqipërinë ta drejtonte një bojaxhi si Edi Rama me asistent një altoparlant si Erion Veliaj.

Ndërkohë një patriot i vërtetë thjesht duhet të thotë të vërtetën, të fshijë ngjyrat dhe të besojë se çdo gjë mund të ndryshojë duke u ndërtuar nga themelet e jo duke u restauruar e bojatisur pa fund. Një patriot duhet të thotë atë që sheh dhe të besojë se çdo gjë ndryshon vetëm duke ndërtuar themelet e forta. Këto themele bazohen tek liria e qytetarit të fuqishëm ekonomikisht dhe familjes së qëndrueshme. E para krijon themelin e besimit dhe e dyta është themeli i edukimit dhe kulturës për brezat. Nga ana tjetër kemi bojërat si “Brezi i mijëvjeçarit” që ngjan me “Brezi i ri” në diktaturën komuniste, por që edhe këta e kopjuan nga komunistët Kinezë pas të ashtuquajturit “Revolucioni kulturor” në Kinë. Propaganda është mjet për të mbajtur pushtetin, pra shpesh i hidhen bojëra apo restaurime të ndërtesës. Ndërkohë ndërtesa duhet të ndërtohet nga themelet dhe betoni për themelet është vetëm e vërteta.

Sot në këtë ditë e vërteta më e madhe është turizmi dhe unë nuk shkoj pas numrave, por pas fakteve.

Turizmin në Shqipëri është katastrofë. Ka njerëz që mundohen, por nuk kanë mjetet e duhura, interesin dhe pasionin e duhur, apo edhe kulturën e mjaftueshme dhe kjo është mangësi në Shqipëri. Le të mos na vijë turp dhe të themi se kur Grekët, Kroatët, Malazezët dhe Italianët bënin turizëm, ne Shqiptarët i vëzhgonim nga llogoret e luftës imagjinare që diktatura kishte krijuar. Historikisht në Shqipëri e kemi parë turistin si një derr kapitalist të majmë apo lopë për t’u mjelë. Politika është më e interesuar që të pastrojë paratë e mafies duke ndërtuar mure, por duke harruar se turizmi është më tepër marrëdhënie.

Kultura dhe edukata që përçon qeverria është kulturë e dhunës dhe edukatë e fitimit të shpejtë pa dhënë shërbimin e duhur. Që kur zbret në airport sheh se si tallen taksistët me të huajt kur nuk u pranojnë çmimin. Shkon tek një shofer për të kërkuar sqarime, ata të përgjigjen “Do të hipësh në makinë apo do të ikësh”. Rasti më i mirë për të parë të vërtetën në Shqipëri është të flasësh anglisht apo tjetër gjuhë e të dëgjosh se si duan të të vjedhin në çdo sektor. Duke lënë transportin le të shohim shërbimin e plazhit dhe rezortet. Ka individë që punojnë në këto vende që e kërkojnë dhunshëm bakshishin, madje edhe në formën e një lëmoshe duke bërë kllounin për pesë mijë lekë të vjetra. Kjo është kulturë që promovohet nga hajdutët në qeverri që kërkojnë dhunshëm bakshishin e tyre.

Vetëm shuma dhe veshja ndryshon. Kam njohur edhe individë apo vende plazhi ku e njohin shërbimin, por në Shqipëri kjo është pakicë. Shumica janë individë që rrinë në fb gjithë ditën dhe të thonë “përse vetëm pesë mijë lekë? Më jep dhjetë se ti për pushime ke ardhur”.

About Redaksia

Check Also

“Gjësendet”, “gjykafshat” dhe të mjerat të drejta të njeriut

Nga Gent STRAZIMIRI Në fakt, është një gënjeshtër me shkrim, me vulë e me Vendim ‘Gjykafshe’! …