Argita Malltezi ka qenë mjaft aktive në media e politikë vitin e fundit, sidomos pas vënies së masës së sigurisë ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi.
Është aluduar shpesh se ajo mund të merrte drejtimin e Partisë Demokratike, por pavarësisht se i izoluar në shtëpi, Berisha ka vijuar me udhëheqjen e kësaj partie.
I pyetur sonte në “Opinion” se a do të ketë një rol drejtues në PD vajza e tij, Berisha u përgjigj:
“Kjo është çështje krejtësisht personale e Argita Berishës, jo Sali Berishës”.
Berisha është i bindur për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Pavarësisht fitores së PS në tre mandate, ai e quan veten “njeriu i të pamundurave”.
”Sali Berisha është njeriu i të pamundurave! Nëse ka një njeri i të pamundurave, më vjen keq që e them, por jam unë!”
Thekson se nuk i ka zhgënjyer kurrë votuesit.
“Kam bërë ato që kam premtuar dhe ata kanë bindjen se vitet janë një gjë, po bashkëkohësia e Sali Berishës është një gjë tjetër”.