Nga Milaim NELA
Institucioni më i lartë në Republikën e Shqipërisë siç është Kuvendi ka degraduar në mënyrë të frikshme.
Kjo tashmë nuk përbën sekret dhe është e ditur nga gjithkush!
Ky institucion jo vetëm nuk është përfaqësuesi më i mirë i interesave të shqiptarëve siç duhet të ishte në realitet por është degraduar në çerdhe injorantësh që shpërblehen me tendera apo favore të tjera për miratimin e ligjeve të mafias vendase e asaj ndërkombëtare.
Shumica e ligjvënësve në atë sallë as nuk dinë ti lexojnë pa le t’i kuptojnë draftligjet që ju vihen përpara.
Nuk është fjala vetëm për cilësinë e ligjërimit publik të deputetëve por më e trishtueshme është injoranca, pafatësia dhe papërgjegjshmëria e tyre para kushtetutës dhe interesit kombëtar!
Kjo do të thotë se miratimi i ligjeve që rrezikojnë të drejtat bazike të shqiptarëve, sovranitetin, kulturën dhe asetet kombëtare jo vetëm është rrezik shumë i madh por tashmë është një realitet i provuar.
Po ju sjell në vëmendje:
– ligjin e investimeve strategjike,
– ligjin e tjetërsimit të portit të Durresit
– ligjin e koncesionit të trashëgimisë kulturore kombëtare siç eshte Butrinti,
– ligjin që jetëson marrëveshjen Rama-Meloni etj etj.
Nëse ne do kishim parlamentarë përfaqesues që vijnë nga vota e lirë sigurisht që asnjë nga këto ligje nuk do të miratohej.
Shqipëria është në rrezik tepër më të madh se ç’ishte Kosova në vitet 80-90të.
E them këtë sepse ndër shqiptarë sidomos të atyre të Kosovës kishte një vetëdije për atë rrezik dhe njëkohësisht kishim një reagim si të elitave politike dhe intelektuale të Kosovës megjithëse nën pushtim të egër.
Ishte reagimi në bllok i shtresës intelektuale të Kosovës që udhehoqi dhe frymëzoi një popull të tërë që fund të fundit çoi në pavarësinë e saj!
Në Shqipëri sot mjerisht nuk e kemi as vetëdijen e shoqërisë as reagimin pasi njerëzit në vend të reagimit kanë zgjedhur braktisjen e vendit nē vend tē reagimit!
Por mua ajo që më dhemb mē shumë është narkoza nën të cilën ndodhen elitat intelektuale si brenda ashtu edhe jashtë vendit!
Po shohim të na tkurret dhe shuhet atdheu para syve tanë!
Unë po e përjetoj tmerrësisht keq këtë katastrofe që po i ndodh vendit dhe kombit tonë!
Nëse ne do vazhdojmë për inerci në rrugën që jemi Kuvendi i ardhshëm do jetë akoma më injorant dhe dukshëm më jopërfaqësues edhe se ky palokuvendi i sotëm!
Shkuarja në zgjedhje të radhës me ketë sistem do të na çojë në një situatë e cila kam drojë se do jetë e parikthyeshme mëpastaj!
Kemi nevojë për një tronditje të madhe dhe reset të sistemit politik e shtetëror të Shqipërise para se të mos kemi Shqipëri!