“Mund të kishte kandiduar edhe Durim Bami dhe ju do ta kishit futur për kandidim për drejtues të Policisë së Shtetit”. Kështu u shpreh deputeti demokrat Flamur Noka në Komisionin e Sigurisë, duke përmendur emrin e kandidatit Hajrulla Xhivini, i cili sipas tij, është në kërkim.
“Hajrulla Xhivini është një nga 15 kandidatët për drejtor të Policisë. Hajrulla Xhivini është në kërkim. Mund të kishte kandiduar edhe Durim Bami dhe ju do ta kishit futur për kandidim në konkurrencë”.
Ai i kërkoi ministrit Hoxha të nxjerrë nga bataku policinë dhe jo ta marrë përsipër faturat e paraardhësve, duke e paralajmëruar se do të ketë fatin e tyre.
“Sot ke marrë përsipër shumë gjëra mos mbaj barrën e atyre që kanë qenë përpara. Zoti ministër mos përsipër të tjerat, por po ke këllqe të nxjerrësh nga bataku këtë polici ta pastrosh ndryshe fatin e këtyre të tjerëve do kesh, madje edhe më keq se po merr përsipër edhe faturat e të tjerëve”, tha Noka.
Noka theksoi se, objektivi i ministrit duhet të kishte qenë nxjerrja nga bataku e Policisë së Shtetit dhe jo mbrojtja.
“Objektivi juaj duhet të ishte ai për nxjerrjen nga bataku të Policisë së Shtetit dhe jo të mbroni çdo pisllëk e aferë të paraardhësve tuaj që e kanë bërë këtë policinë më të inkriminuar që ka Europa”, tha Noka.
Noka u shpreh më tje se, policia është shndërruar në institucion statistikash, dezinformimi dhe falsifikimi, si edhe për lidhje me bandat dhe krimin.