Deklaratë e fortë e Berishës: Nuk ka më paqe me krimin e organizuar, 77 mënyra për paralizimin e narko-shtetit

Sali BERISHA

Mosbindja juaj dje, ka një rëndësi më të veçantë, se sa aksioni që kryet në vetvete.

Sepse ju mbrëmë thyet, bëtë pluhur një sofizëm, një mashtrim të ulët, që në vitet e fundit ishte përhapur qëllimisht si virus, e vërteta është se edhe midis nesh, për të vrarë shpresën e shqiptarëve.

Ky mashtrim është se shqiptarët nuk reagojnë.

Ky mashtrim është se shqiptarët janë të përulur.

Ky mashtrim është se shqiptarët më para ikin, largohen, se sa t’i dalin zot vetes, vendit dhe kombit të tyre.

Nga mbrëmë, nuk ka njeri në botë, që mund të thotë më këtë gjë.

Nga mbrëmë shqiptarët u vërtetuan guximtarë dhe heronj.

Dhe kjo vetëm falë jush.

Sepse ju mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me vjedhjen.

Mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me poshtërimin.

Mbrëmë treguat se nuk ka paqe më me krimin e organizuar.

Mbrëmë treguat se zjarri i revoltës ka filluar të djegë trojet e narkoshtetit.

Mbrëmë ju dëshmuat se nuk ka paqe në Sgqipëri pa votën e lire.

Prandaj për aksionin tuaj mbrëmë, mirënjohjen më të pakufishme.

Sepse ju dje rizgjuat krenarinë shqiptare.

Ju dje zgjuat nga letargjia shqiptarët, që prej 12 vitesh kanë kafshuar gjuhën ndaj çdo poshtërsie dhe padrejtësie, që u është bërë.

Por mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të ri, i fillimit të mosbindjes civile.

Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion.

Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës…

Reago sa je në kohë.

Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë.

Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira.

Dhe aty në zgjedhje të lira, le të shohim se kë votojnë shqiptarët.

Pse ke frikë Edi Rama? Kur mendon se fiton, pse nuk krijon qeverinë teknike?

Të bëj thirrje, edhe një herë Edi Rama, krijo qeverinë teknike.

Sepse javët që vijnë, mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd.

Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh.

Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën.

Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama.

Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën.

Pastaj Durrësin. Vlorën. Kukësin. Tepelenën. Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë.

Se nuk ke lënë qytet pa masakruar me shpopullimin e tij.

Nuk ke lënë qytetarë pa varfëruar me vjedhjet e tua.

Nuk ke lënë familje shqiptare pa gjymtuar.

Dhe i gjithë vreri që ke derdhë mbi shqiptarët, do plasë mbi ty javët që vijnë.

Të dashur qendrestare dhe qendrestarë.

Rikujtoj dhe një herë, që jemi në misionin më të rëndësishëm të jetës sonë.

Zoti do bekojë gjithë ata guximtarë që dje drodhën narkoshtetin.

Mediat e gjithë botës dje i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme guximit, heroizmit të opozitarëve shqiptarë.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse ne Europë, në SHBA dhe ne mbare vendet e lira ne kemi shume miq, mijëra e mijëra herë me shumë se sa mendojmë.

Sepse nuk ka gjë më frymëzuese, më fisnike, se një popull që reagon ndaj tiranisë së bandave, ndaj padrejtësisë.

Që sulmon krimin.

Që djeg korrupsionin.

Që lufton për votën e lirë.

Prandaj nëse shihje mbrëmë komentet e popujve europianë, në titujt e medieve ndërkombëtare, kishin vetëm admirim për ju.

Dhe për ironi të fatit.

Mbrëmë, kur gjithë popujt e botës së lirë, të përfaqësuara nga mediat e tyre, solidarizoheshin me opozitën shqiptare, të përulurit e zakonshëm të narkoregjimit dukej se për ne kishin përsëri vetëm sulme te shpëlara.

Ata janë papagajtë e zakonshëm të qeverisë, që ashtu si çdo natë, në studiot televizive bënin opozitën e opozitës.

Janë po ata që deri dje thoshin opozita është e mbaruar se nuk reagon. Ndërsa mbrëmë thanë se opozita reagoi se është e mbaruar.

Janë po ata që u mërzitën se dogjëm disa kazanë plehrash, por nuk thanë një fjalë për vajzën e vogël që u helmua me gaz nga narkopolicia e Edi Ramës, si të ishim në Sirinë e Asadit.

Janë po ata që thanë dje se protestuesit dogjën babanë e artistes së njohur Juli Emiri, kur gjithë shqiptarët e panë në video narko-kriminelin me uniformë që jo vetëm i hodhi protestuesit të pafajshëm shishen molotov me qëllimin total për ta djegur, por në një krim edhe më të shëmtuar, në vend se të shuanin zjarrin që mbuloi protestuesin, zgjodhi të shuante me ujë zjarrin e pllakave.

Janë po ata që heshtën si fije bari për breshëritë me plumba me shotganë që vrasës gjakftohtë me uniformë shkrehen kundër protestuesve.

Janë këta shpifarakë që nuk shqipëruan një fjalë për helmimin me gaz toksik të banorëve të një lagjeje të tërë për të mbrojtur parlamentin e krimit, parlamentin e Spirogjokës.

Miq, sulmet e këtyre mjeranëve për ne janë nder, sepse këta janë qenie të denatyruara që ulin kokën kur vidhen.

Që kyçin gojën para së keqes.

Që buzëqeshin kur poshtërohen.

Që admirojnë dhunuesin e tyre.

Dhe jo vetëm kaq. Shumëkush prej tyre, në xhepa ka dhe paratë tuaja, që janë vjedhur me inceneratorë, me tendera e prokurime.

Por ne nuk jemi të tillë.

Ne jemi shqiptarë të guximshëm.

Që e duam demokracinë.

Që e duam lirinë.

Që e duam Europën.

Që kemi të shenjtë dinjitetin.

Dhe prandaj luftojmë.

Prandaj mosbindja do vazhdojë.

Prandaj mosbindja do përshkallëzohet.

Prandaj përballë narko-diktaturës do ketë vetëm mosbindje totale.

Sepse koha e narkoshtetit perëndoi përgjithmonë.

Tani është ora e guximtarëve.

Është radha jonë.

Votën nuk e falim!

Prandaj me hir ose me pahir, do ta kemi qeverinë teknike.

Që të garantojmë votën e lirë.

Dhe me votë të lirë, do të shohim kë do votojnë shqiptarët.

Rrofshi ju. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë opozita, rroftë Shqipëria.

O sot o kurrë!

Është radha jone!

Fitore!

Faleminderit.

About Krye Redaktor

Check Also

Pyetje SPAK-ut për inceneratorët! Janë të paaftë apo të korruptuar? Apo kaq ia ka lënë litarin Edi Rama…

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi ka reaguar me një shënim në faqen …