Mediat greke: Protestuesit i vunë flakën Partisë Socialiste të Ramës!

Protesta e mbajtur ditën e djeshme në Tiranë është pasqyruar edhe nga mediat greke.

“Protothema” shkruan se, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie të përkohshme që do ta çojë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.

Artikulli i “Protothemës

Përleshjet shpërthyen mbrëmjen e së hënës në Tiranë gjatë një demonstrate të mbështetësve të opozitës që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke plagosur 10 policë dhe të paktën tre protestues.

Mijëra demonstrues iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike dhe u mblodhën në kryeqytetin shqiptar. Përplasjet e para shpërthyen kur protestuesit u përpoqën të thyenin kordonin e policisë jashtë ndërtesave qeveritare, duke përdorur kokteje molotov. Më pas turma shkoi drejt selisë së Partisë Socialiste të Ramës, ku i vunë flakën portës së jashtme dhe dogjën një poster të kryeministrit.

Protestues të tjerë vandalizuan ndërtesën e ministrisë së brendshme dhe një stacion autobusi, duke i vënë flakën kazanëve të plehrave.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie të përkohshme që do ta çojë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.

“Ne do të vazhdojmë aksionet e mosbindjes civile derisa Rama të japë dorëheqjen”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike (PD), Flamur Noka.

Javën e kaluar, deputetët e PD-së hodhën karriget e tyre jashtë Parlamentit dhe ndezën zjarre në shenjë proteste ndaj dënimit me një vit burg të dhënë kolegut të tyre Ervin Salianji. Opozita shqiptare e konsideron “një akt hakmarrjeje dhe terrorizmi politik”, për të cilin quan përgjegjës kryeministrin Edi Rama.

About Redaksia

Check Also

Pse Rama nuk po e mbyll dot TikTok-un

Ditën e sotme, sipas urdhrit të qeverisë, TikTok duhet të kishte “ndërruar jetë” në Shqipëri. …