Absurditet

Nga Erion DASHO

Skena e djeshme ku kryetarja e Komisionit për Hetimin e Koncesioneve, Zj. Albana Vokshi, rrëzoi nga tryeza mikrofonin e bashkëdrejtuesit të komisionit flet më shumë se mijëra fjalë. Sikundër flet më shumë se mijëra artikuj e emisione televizive djegia e karrigeve të deputetëve të opozitës në oborrin e Kuvendit.

Këto dy skena tregojnë se sot opozita shqiptare nuk ka më zë! Ky zë i është mohuar nga aleatët e narkotrafikut dhe krimit të organizuar, të cilët prej 11 vitesh janë shndërruar nga qeveritarë, deputetë dhe zyrtarë të shtetit në bandën kriminale më famëkeqe që ka njohur Shqipëria në 112 vjet histori.

Mbi të gjitha, vetë komisioni hetimor i sipërpërmendur do të mbahet mend gjatë si komisioni i absurditetit.

Në radhë të parë, opozitës ju mohua për vite me radhë ngitja e komisionit. U deshën muaj dhune në Kuvend që opozita të fitonte si trofe atë që ishte e drejta e saj kushtetuese.

Së dyti, për javë të tëra u sabotua puna e komisionit nga ana e anëtarëve që përfaqësojnë rilindjen dhe boratët. Mosmiratim i planit të thirrjes së dëshmitarëve, mosmarrja pjesë në seanca, vizita të kota në institucione, të cilat nuk kishin objekt hetimin, por glorifikimin e hajdutëve, etj., ishin taktikat bllokuese të maxhorancës.

Së fundi, qershia mbi tortë, antarësia e komisionit! Nënkryetari i komisionit, Z. Ndreca ka qënë avokat i hajdutëve të koncesioneve çka përbën minimumi konflikt interesi.

Një nga skenat më absurde në krejt punën e komisionit ka qënë momenti kur u thirr për të dëshmuar ish-zëvendësministri Rjepaj. Në sallë ishin dy ish-zëvendësministrat e koncesioneve, Z. Rjepaj si person ndaj të cilit është ngritur akuzë penale dhe është vendosur masë arresti, dhe Zj. Ekonomi e cila heton aferën ku ka qënë bashkëautore.

O tempora, o mores!

Zj. Ekonomi duhej të kishte patur minimumin e etikës dhe njerëzillëkut. Ajo mund të ishte larguar nga salla, për të mos parë në sy ish-kolegun e vet të sjellë me pranga nga policia.

***

Demokracia shqiptare sot ka arritur pikën më të ulët të abisit. Aty ky është rrënuar parlamentarizmi, nuk ka më vend për ankesa të tjera.

Deputetët e opozitës prej një viti shohin kryetarin në arrest me akuza të stisura, dhe kolegun e tyre në burg pas një procesi gjyqësor të montuar dhe të dirigjuar nga politika.

Nëse deputetit nuk i është lënë zgjidhje tjetër përveç dhunës, ç’mund të thuhet për qytetarin??!!

Kjo është pyetja që duhet të mundojë sot çdo shqiptar…

About Redaksia

Check Also

“Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise!

Gjeneral ® Piro Ahmetaj, Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare dhe çështjet e USA/NATO Mbasi u …