Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nisje të fjalës së tij në tubimin qytetar, është shprehur se, në universitet e vendit, sot janë 74 mijë studentë më pak se në 2014. Sipas Berishës, Rama ka dyfishuar tarifat e studimeve në këto vite që qeveris.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore, mirënjohjen më të pakufishme ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë, kauzës së pamposhtur të qytetarëve shqiptarë.
Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që përcjellin në të katër anët e Shqipërisë të vërtetat e këtij regjimi të bazuar në drogën, krimin, vjedhjen e shqiptarëve.
Të vërtetat e qëndresës së pamposhtur tuaj, të vendosmërisë tonë në një betejë të pandalshme për realizimin e qeverisë teknike, rikthimin e votës së lirë te shqiptarët, rotacionit politik dhe fitores së opozitës.
Të dashur miq, organizata kriminale që kryeson Edi Rama prodhon çdo ditë, çdo javë të këqija, akte armiqësore, akte brutale, akte shkatërrimtare ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në sulm sot janë si kurrë ndonjëherë në histori, universitetet e vendit.
Edi Rama, pasi me kthimin e tij në pushtet, mbylli një seri universitetesh publike, të cilat kishin mijëra studentë, dyfishoi tarifat e studimeve dhe bëri që studentët e familjeve më të varfra në Europë të paguajnë nominalisht tarifat më të larta në Europë, përveç Britanisë së Madhe, dhe të paguajnë proporcionalisht tarifat absolute më të lartat në europë.
Me këtë politikë, duke larguar pasivisht të rinjtë nga Shqipëria, sot në universitetet e vendit janë më pak se në vitin 2014, 74 mijë studentë.
Ndërkohë, një nga treguesit më themelorë të avancimit në fushën e dijes të një vendi, të kultivimit të shtresës intelektuale për një vend, është përqindja e të diplomuarve në shkollat e larta në raport me popullatën”, tha Berisha.