Konferenca e Rektorëve i është drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali ku del kundër projekt-ligjit të ri të Ministrisë së Arsimit për “Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Letra është publikuar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa, teksa rektorët e universiteve shprehen të shqetësuar se Qeveria ka ndryshuar variantin e dakordësuar me ta. Sipas rektorëve, Ministria e Arsimit i është rikthyer variantit te parë te projektit fillestar, i kundërshtuar nga Konferenca e Rektorëve.
Rektorët i kërkojnë Kuvendit që të pezullojë procedurat e miratimit të projektligjit dhe të pranojë në fillim të javës që vjen komentet e dërguara prej tyre.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Ina Zhup shprehet se për shkak të përjashtimit nga socialistët, nuk e ka mundësinë që të drejtojë seancën dëgjimore me Rektorët të hënën.
Ajo uron që mazhoranca të tërhiqet nga projekti politik, për kapjen e shkencës dhe dijes, për injorimin dhe shkatërrimin e lirisë dhe autonomisë universitare edhe për monopolizimin politik të dijes.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës
Konferenca e Rektorëve shprehet me shkresë zyrtare KUNDËR projektligjit të ri të shkencës.
Konferenca e Rektorëve që bashkon Rektorët e institucioneve të arsimit të lartë publike dhe private në vend me letrën e dërguar kryetares së kuvendit Elisa Spiropali shprehen kundër këtij drafti dhe tregojnë se si është ndryshuar rrugës në një draft tjetër nga ai i dakortësuar me ta. Sic e kanë zakon Rama dhe të tijët veprojnë me standartin “të tjera gjëra janë flasin dhe të tjera gjëra bëjnë” dhe kanë sjell një ligj të ndryshëm nga diskutimet me konferencën e Rektorëve.
“Për këtë projektligj është punuar së bashku me përfaqësues të Konferencës së Rektorëve dhe për projektet e rishikuara, mbi bazën e komenteve te dërguara nga ana jone, ka patur reflektime të here pas hershme.
Me shqetësim konstatojmë se projektligji që ju keni ne shqyrtim, është një variant shumë më ndryshe nga ai që është konsultuar me ne, duke ju rikthyer thuajse, variantit te parë te projektit fillestar, i kundërshtuar nga Konferenca e Rektorëve.
Në këto kushte do te kërkonim pezullimin e procedurave të miratimit të projektligjit dhe të pranoni në fillim te javes që vjen, komentet që do t’Ju dergoje Konferenca e Rektorëve”- shprehet në letrën dërguar Kuvendit, kryetari i konferencës së rektorëve Prof.Dr Artan Hoxha.
Mbështes konferencën e rektorëve, pedagogët, dhe gjithë universitarët e Shqipërisë për të gëzuar autonominë dhe lirinë akademike.
Të hënën sipas përjashtimeve politike, nuk do kem mundësi të drejtoj seancën dëgjimore me Rektorët. Uroj që mazhoranca të tërhiqet nga projekti politik, për kapjen e shkencës dhe dijes, për injorimin dhe shkatërrimin e lirisë dhe autonomisë universitare edhe për monopolizimin politik të dijes.
Gazeta RD