CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Berisha: Do vendosim minimumin jetik 200 euro, paga minimale do jetë 500 euro dhe pensionet do të dyfishohen

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi se, me të ardhur në pushtet qeverisja demokrate do të vendosë minimumin jetik prej 200 eurosh dhe pagën minimale prej 500 euroshe.

“Ajo që ndjej unë sot më shumë se çdo gjë tjetër në këtë vend janë sirenat e mjerimit.

Pavarësisht nga kullat dhjetëra katëshe.

Pavarësisht nga lumenjtë e veturave.

Pavarësisht nga lustra e televizioneve.

Përsëri u garantoj ju dhe të gjithë ata që janë në nevojë se asgjë nuk mendoj më shumë se sa gjendjen e tyre.

I garantoj se ndërhyrja do të jetë emergjente.

E kam theksuar dhe theksoj, akti i parë do jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh.

Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro.

Do të jetë asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera.

Do të jetë synimi që të dalim përsëri në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet.

Do të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet.

Nuk ka gjë më të dhimbshme kur kujton se një pensionist me 100-130 euro, u drejtohet dyqaneve dhe blen ushqime me çmime më të shtrenjta se italianët, gjermanët, francezët.

Pra, kjo do marrë fund.

Është jetike kjo paketë që unë paraqes para shqiptarëve.

Mund të ketë njerëz që thonë ky i ka për politikë këto. Gabojnë. Në mënyrë absolute e kam nga bindja ime më e thellë se në këtë vend të bekuar, me këto pasuri që ka, nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për kafshatën e gojës.

Nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për ilaçet, për mjekimet.

Sigurisht rëndom më shtroni pyetjen se ku do merren paratë?

A do e bëja unë një premtim të tillë nëse nuk do isha 100 përqind i sigurt nëse nuk do e bëja?

Kurrë nuk do e bëja.

Por jam 100 përqind i sigurt, madje edhe këtë vit nëse PD do ishte në pushtet.

Ku merren paratë?

8 miliardë euro është buxheti i këtij viti, rreth 800 milionë euro është fondi i pagave të administratës. Pra, mbetem 7.2 miliardë euro.

Unë zotohem 100 përqind se këta hajdutë, pa ndjenja ndaj shqiptarëve, ndërtojnë një rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci.

Unë informoj shqiptarët se autostrada me 4 korsi dhe me ndriçim Lushnje-Fier është ndërtuar me 1 milion dollarë kilometri.

Kurse këta ndërtojnë rrugë 10 milionë euro, 15 milionë euro.

Është inauguruar rruga Shëngjin-Velipojë dhe është trefishuar çmimi në mënyrën më të pacipë.

Kjo sepse vidhet!

Rruga Tiranë-Plepa, një rrugë 37 kilometra, kjo rrugë nuk mund të shpenzohen më shumë se 700 mijë euro për kilometër. E parashikuan 40 milionë, e rritën në 90 milionë.

Në çdo projekt të tyre mund të ndash për kafshatën e qytetarëve të paktën 60-70 përqind të parave që vidhen.

Pra, nuk ekziston ndjenja.

U tha pensionistëve, do ta mbyll me këtë, me qëndrimin më cinik që mund të mbahet ndonjëherë, u tha pensionistëve që do ua rrisim pensionet në mars.

Çfarë bëri? Ua indeksoi 4 përqind në tetor. Po sa ishte inflacioni? Ishte 9.4 përqind për ushqimet. Pra, jo vetëm nuk u indeksuan pensionet, por çdo pensionist shkon tani në dyqan dhe blen më pak se një vit më parë.

Kjo do të marrë fund.

Unë do isha i gatshëm të ndërprisja çdo punë publike dhe të ktheja paratë te qytetarët, por nuk ka nevojë në mënyrë absolute, ka nevojë të mos vidhet, të mos vidhet, të mos vidhet.

Gërshërët e ligjit do presin duart e hajdutëve, cilido që të guxojë të prekë paratë publike”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rama merr në mbrojtje Veliajn pasi e degdisi në azil

Pasi e nisi në ekzil, Rama lan duart si Ponc Pilati me Veliaj dhe e …