Në vend të një urimi për Sali Berishën

Nga Luçiano BOÇI

Sali Berisha ka sot ditën e lindjes, duke dominuar me peshën e tij, përtej viteve, politikën shqiptare.

I jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm, ai mbetet njeriu që vendosi piketat e historisë së shtetit modern postkomunist shqiptar.

Ndërrues epokash, sjellës i pavarësisë së Kosovës, hapësi i portave të BE, realizuesi i anëtarësimit në NATO dhe faktor kryesor i shndërrimeve tërësore të vendit, Sali Berisha është shtetari që karrierën politike ia nënshtroi e ia nënshtron shërbimit ndaj atdheut e qytetarit.

Kundërshtarët ndonëse përpiqen ta urrejnë, thjesht për të konfirmuar veten, pranojnë imponimin që ai detyron.

Demokratët e duan ose e adhurojnë për karakterin e paepur dhe mendjen brilante.

Qytetarët e respektojnë ose e kundërshtojnë sipas orientimeve politike.

Mosmirënjohësit tulaten e bëjnë cinikun e shëmtuar.

Scribët e dështuar e të ushqyer në kënetën e urrejtjes e shpifjeve, mprehin sot lapsat për të mijtën herë kundër tij, për t’i kujtuar kohën, duke e ditur mirë se për të ajo mbetet vetëm një konvencion formal.

Sali Berisha ka dëshmuar se jeta e tij politike është një trajektore suksesi e mbushur me stacione lufte, gjatë të cilave kundërshtarët e tij kanë bërë gjithçka për ta eleminuar e gjunjëzuar, pa mundur t’ia dalin asnjëherë.

Ai gjithmonë është rikthyer me triumf.

Ai e krijoi Partinë Demokratike në ditë të pamenduara, e mbrojti në ditët e kundërrevolucionit të ‘97 dhe e shpëtoi në ditët e revanshit të sotëm politik të hijeve të së kaluarës dhe organizatave me veladone politike ose ligjore.

Sali Berisha mbetet pikë referimi e përballjes në emër të së vërtetës dhe të lirive politike e kushtetuese, në emër të së mirë kundër së keqes, në emër të qytetarit kundër keqbërësve të çfarëdo lloji.

Përballja e tij e paepur dhe qëndrueshmëria në situata kritike ka frymëzuar e frymëzon aksione e veprime politike në mbrojtje të vlerave e parimeve demokratike.

Arrestimi politik i tij nuk ka fashitur pasionin e tij dhe energjinë e tij për të vazhduar misionin e marrë që në ‘90 me të njëjtin intensitet e forcë, të pasuruar me ide, vizione të reja dhe të armatosur me një përvojë politike unike.

Mbajtja e tij sot i burgosur me metoda të inkuizicionit politik, duke përdorur format e metodat e diktaturës që ai shembi bashkë me PD-në, dëshmon tmerrin politik që bashkëjeton brenda armiqve të tij, por dhe investimin e tyre për hakmarrje primitive, për shkak se i rrëmbeu fronin etërve dhe ia ktheu atë qytetarëve të këtij vendi.

Nëse sot pranohet që Shqipëria ka ecur në zhvillimin ekonomik, aty është patjetër kontributi i tij i pamohueshëm për tregun e lirë dhe forcimin e iniciativës së lirë, e vendimet e arritjet e qeverisjes nën drejtimin e tij.

Nëse jemi duke hyrë në Europë, dyert i hapi ky njeri.

Nëse krenohemi për NATO-n anëtarësimin e nisi dhe e përfundoi ky njeri.

Nëse sot ndjehemi të fortë si Komb me Kosovën në krah, mos harroni se e loboi dhe arriti diplomatikisht e politikisht ky njeri.

Nëse sot ekziston turpi, turpi më i madh i vendit tonë është mbajtja si i burgosur i Sali Berishës si kryetar i opozitës.

Dhe nëse duam sot ta urojmë për jetë të gjatë që të gjithë e bëjnë me zemër, ta bëjmë së pari këtë në formën e kushtrimit, i cili thërret për të bërë gjithçka me qëllim që njeriu simbol i demokracisë, njeriu simbol i sakrificës për të vërtetën dhe lirinë, të jetë i lirë.

Ta bëjmë në formën e aksionit e organizimit, për të detyruar dorëzimin pa kushte të atyre që sot e shohin lirinë e Sali Berishës si fundin e jetës së tyre politike.

Ta bëjmë si detyrim që kemi ndaj këtij vendi dhe historisë së tij.

Ta bëjmë me pasionin e forcën e Sali Berishës.

About Redaksia

Check Also

100 vjet Shkolla Tregtare Vlorë – sot rrezikon zhdukjen!

Nga Bujar LESKAJ Sot bëhen 100 vjet nga krijimi i Shkollës Tregtare Vlorë. Shkolla Tregtare …