Sali Berisha është sot në misionin e tij më të rëndësishëm!

Nga Nikola KEDHI

Sali Berisha është padyshim figura kryesore politike e tri dekadave të fundit, në pushtet apo opozitë, mes fitoresh frymëzuese dhe humbjesh mësimdhënëse.

Është kryeministri që futi Shqipërinë në NATO, negocioi për TAP-in, me të cilin u mbajt ekonomia shqiptare dhe një dekadë më pas, drejtoi reformat që liberalizuan ekonominë, kreu një revolucion në rrjetin e rrugëve në Shqipëri, shtyu përpara reformën në sektorin energjetik, dhe e çoi vendin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për BE.

Por rolin më kryesor e ka pasur përgjatë dekadës së fundit, kur u kthye në zërin më të fortë e shpeshherë të vetëm të Opozitës shqiptare. Doktori u kthye në një institucion të besueshëm të cilit i drejtoheshin me mijëra qytetarë në një kohë kur besueshmëria te shteti binte drastikisht. Në dekadën e fundit shteti shqiptar mbeti vetëm me institucionin Sali Berisha.

Doktori u kthye në mbrojtësin e interesit kombëtar, duke folur i vetëm fillimisht kundër ndarjes së Kosovës, kundër stabilokracisë së imponuar në vend dhe rajon, si dhe kundër pushtimit të shtetit shqiptar nga rrjeti Soros, duke kërkuar në 2017 dhe shpalljen non grata të spekulantit botëror.

Shërbimin më të madh vendit ja ka bërë në tre vitet e fundit, kur u rikthye dhe me kosto personale, për të shpëtuar opozitën nga kryetari i kapur i Partisë Demokratike dhe pluralizmin nga një qeveri autoritare e kleptokrate. Elektorati i djathtë, i zhgënjyer, i dekurajuar dhe pothuajse i pashpresë, kishte nevojë për këtë shkëndijë inkurajimi nga lideri i tyre historik. Premtimi i ndryshimit, idetë konservatore dhe karizma e Sali Berishës përbënë formulën e zgjimit të një lëvizjeje mbarëkombëtare.

Energjia e tij, forca, karizma, vendosmëria, optimizmi e bëjnë Doktorin një simbol frymëzimi, një shkollë politike unike, të rrallë në skenën politike shqiptare dhe bashkëpunimi me të këto vite është tejet i çmuar. Berisha i përket tipit të burrit të shtetit Reaganian që sot është në zhdukje, për fatin e keq të Perëndimit.

Sali Berisha është sot në misionin e tij më të rëndësishëm, për të vazhduar në krijimin e një të djathte të fortë konservatore, që unë besoj se ai e do si trashëgiminë e tij më të madhe, si dhe për të penguar rrënimin e pluralizmit në Shqipëri.

Në këtë dekadë të re të jetës së tij, urimi im është që ai t’ia arrijë në këto dy synime jetike për vendin.

About Redaksia

Check Also

“Shqipëria dhe Dilema e Demokracisë: Një Betejë mes Opozitës dhe Autokratëve”

Nga Neada STANA Anëtare e Departamentit Brain Gain dhe Ekselenca në Partinë Demokratike Në një …