Nga Grigels MUÇOLLARI
Një parfum i deputetes Elda Hoti shkaktoi irritim të Elisës, e bëri atë të humbte toruan dhe të konsumonte tradhtinë e madhe në publik, duke e nxitur të deklarojë të vërtetën rreth SPAK-ut. E mbajtur me kujdes deri tani në shtresat e nënvetëdijes, prej atij parfumi, Spiropalit i doli që Prokurorinë Speciale e urdhërojnë, u tregojnë ata se çfarë të bëjë. “Do të merret SPAK-u me ty”, e kërcënoi kryetarja e Parlamentit, deputeten e opozitës.
Në cilën normë, prerogativë, në cilën rregullore, ligj, apo në cilën Kushtetutë, parashikohet që Elisa Spiropali ka fuqi, apo urdhëron SPAK-un.
Kryesuesja e seancës ka një pushtet honorifik, dhe si rregull ajo do të duhet të jetë garante e respektimit të të drejtave të pakicës.
Por kjo, në letër. Në realitet, krejt e kundërta.
Lehtësia me të cilën kjo drejtuese politike socialiste, të vërsul strukturën e posaçme, dëshmon kapjen e drejtësisë, dëshmon vënien e saj nën hyqëm.
Kur Spiropali të vërsul SPAK-un, imagjino se çfarë të bën Edi Rama me prokurorinë speciale.
Edhe ai, në atë sallë, paralajmëroi dënimin me burg të deputetit Salianji, shumë ditë para se të shpallej vendimi.
Dhe kërcënoi kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhin, se do të ketë të njëjtin fat.
Dalja fare hapur e Kryeministrit dhe së fundmi e Kryetares së Parlamentit, duke treguar se kanë SPAK-un nën varësi, mund të jetë pjesë e strategjisë së tyre për të rritur shtypjen dhe represionin ndaj opozitës dhe për të shtuar atmosferën e shantazhit dhe frikësimit të publikut, apo të rivalëve brenda radhëve, disa muaj para zgjedhjeve.
Nuk ka më asnjë elegancë apo diplomaci, për ta fshehur që drejtësinë e re e kanë si pjesë të rilindjes.
Nga ana tjetër, SPAK-u nuk po bën asnjë përpjekje për të përgënjeshtruar këto deklarata e qëndrime. Madje, po i konfirmon ato. Shihni se si për aferat më të mëdha korruptive në qeveri dhe në Tiranë, ato as nuk i afrohen Edi Ramës dhe Erion Veliajt. U kanë dhënë imunitet, kanë krijuar shtatore të paprekshmërisë.
Ndërkohë që manifestojnë një zell të skajshëm për të ndëshkuar opozitën, sa herë dhe kudo që munden.
Ky skenar është “de fakto”, rënie e Republikës dhe instalim i një diktature të re. Dhe është diçka që po na e imponojnë me forcë si normale, është një situatë që po na e kërkojnë të gjithëve që ta pranojmë si gjë të mirë.
Ky eskperiment që po ndodh dhe sytë e ndërkombëtarëve, do të ishin fundi i Shqipërisë. Opozita e ka për detyrë ta ndalojë. Me çdo mjet.