Bardhi: Edi Rama, kryeministër i marrë peng nga bandat!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi shkruan në një postim në rrjetin social Facebook se, aksesi i organizatave kriminale deri në caktimin e renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova që Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat.

Përmes një reagimi zyrtar, Bardhi thotë se trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë, një shqetësim që sipas tij, opozita e ka ngritur prej vitesh.

Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thekson se ajo çfarë ndodhi me ish-të mandaturin e Ramës, Jurgis Çyrbja e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë, që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Ndërsa përgjegjësinë për këtë, thotë Bardhi, e ka vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.

Reagimi

Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS, është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.

Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje” dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!

Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to.

Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.

About Redaksia

Check Also

Plarent Ndreca në SPAK: Nuk më thirrën pse takova Veliajn, por për një çështje në hetim

Deputeti i PS, Plarent Ndreca është thirrur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), …