Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi, ka deklaruar sot në mbledhje se ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama.
Ajo ka kërkuar shtyrjen e afatit për mbylljen e Komisionit Hetimor, i cili duhet të përfundojë ditën e nesërme.
Sot janë thirrur për të dëshmuar ministrja aktuale e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-ministrja Ogerta Manastirliu dhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se, Plarent Ndreca ka hall nëse do të shkojë në SPAK me këmbët e veta apo me avokat. Ajo tha se, lista e deputetëve të Durrësit është bërë nga bandat, duke iu referuar deputetit të arrestur Jurgis Çyrbja, i cili del nga përgjimet e SKY ECC si person i sponsorizuar nga bandat kriminale për t’u futur në listat e PS në Durrës.
Albana Vokshi: A jeni në tërezi apo jo! Nuk bëhet kështu mbledhja. Rendin e ditës e bën kryetarja.
Plarent Ndreca: E bën mbledhjen ¼ e anëtarëve. Po bën presion. Nuk ma ndjen hiç se çfarë thua. Ju e keni penguar Komisionin. Ne kemi pritur gjithmonë me shumë durim.
Albana Vokshi: Si të vijnë mbrapa këta ty. Në SPAK do shkosh me këmbët e tua apo do marrësh avokat. Ky është halli. Lista e Durrësit ka gjysmën e deputetëve në burg. Lista është bërë me urdhër të bandave.