Bie propaganda e turizmit/ Shqiptarët braktisën hotelet në gusht, ngadalësohen edhe të huajt

Shqiptarët kanë braktisur hotelet në gusht dhe tashmë kjo konfirmohet edhe nga shifrat zyrtare të strukturave akomoduese.

Sipas publikimit të Institutit të Statistikave (INSTAT) rezidentet u rritën me vetëm 0.2 për qind sa i takon netqëndrimeve në hotele. Një vit më parë pra në gusht 2023 kjo rritje e netqëndrimeve ishte 55.7 për qind. Ndërkohë duket se edhe netqëndrimet e të huajve janë ngadalësuar duke zbritur në 16.9 për qind teksa një vit më parë rritja ishte 64.5 për qind.

“Në muajin Gusht 2024, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë: Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 32,0 %, në krahasim me Gusht 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:  numri i vizitorëve rezident është rritur me 1,2 %;  numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 50,6 %. Numri i net qëndrimeve gjithsej është rritur me 11,3 %, në krahasim me Gusht 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:  numri i net qëndrimeve nga rezident është rritur me 0,2 %;  numri i net qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 16,9 %” thuhet në publikim.

Shifrat konfirmojnë edhe një herë atë që turoperatorët thanë gjatë muajve të pikut të verës se shqiptarët preferuan që të rezervonin jashtë vendit.

Kjo erdhi për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në disa rajone kryesisht në Jug të vendit gjatë qershorit dhe që më pas krijoi një efekt zinxhir perceptimi në gjithë bregdetin duke sjellë edhe anulime nga të huajt kryesisht italianët. Pavarësisht rritjes së përgjithshme të turizmit gjatë këtij viti që është më shumë meritë e rritjes së turistëve gjatë pranverës dhe vjeshtës, vetë sezoni veror cilësohet më dobët se sezoni veror 2023.

Vizitorët

“Gjatë muajit Gusht 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 32,0 %, krahasuar me Gusht 2023. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 2 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 50,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 55,0 %.

Në muajin Gusht 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: • sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (38,2 %); • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (75,6 %); • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,7 %)” vlerëson INSTAT.

Net qëndrime

“ Gjatë muajit Gusht 2024, numri i net qëndrimeve gjithsej është rritur me 11,3 %, në krahasim me muajin Gusht 2023. Numri i net qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 40,9 %. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 14,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 17,4 %

Në muajin Gusht 2024, numri më i lartë i net qëndrimeve është realizuar: • sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (41,4 %); • sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (83,8 %); • sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,0 %)” thuhet në publikim

Norma neto e shfrytëzimit

“ Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 59,6 %, kundrejt 55,3 % që ishte në muajin Gusht 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 67,6 %, kundrejt 64,9 % që ishte në muajin Gusht 2023” thuhet në publikim./ MONITOR

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …