Nga Klodian TOMORRI
Kur sheh përmbledhjen e akuzave të SPAK për Ilir Metën, kupton se sa vend i bekuar ka qenë Shqipëria dhe sa pak korrupsion ka patur krahasuar me tani.
Aty akuzohet Meta se nga pozitat e aksionerit të minorancës ka përdorur influencë që DIA të merrte kontratën e mbledhjes së borxheve nga CEZ, nga e cila Kastriot Ismailaj fitoi 6 milionë euro. Marrëveshje mes dy kompanive të menaxhuara privatisht. Ndërkohë që nuk bëhet e qartë sa lekë mori Meta nga kjo punë dhe cili ishte demi që iu bë qytetarëve.
Së dyti, akuzohet Meta se ka përdorur influencë tek zyrtarët e tij që Unifi Communications INC të merrte marreveshje interkonjeksioni nga një kompani telefonike.
Sërish marrëveshje mes dy kompanive private, pa asnjë pasojë tek buxheti publik apo paratë e qytetarëve.
Në fakt, Unifi ka patur marrëveshje interkonjeksioni me të tre kompanite celulare. Biznesi i saj ka qenë që blinte minuta nga Vodafone, AMC dhe Eagle dhe i shiste jashtë. Ose blinte jashtë dhe ja u shiste këtyre.
Si Unifi ka patur 16 kompani të tjera private që e kanë bërë këtë dhe kanë patur marrëveshje interkonjeksioni me kompanitë celulare. Nga e bija e Marsel Skendajt e deri tek të tjerë.
Në këmbim të kësaj, administratori i kompanisë-thotë akuza- i bëri kartë krediti Metës dhe Monikës. Adrian Shatku është kusheriri i Monika Kryemadhit. Tani kusheriri edhe të jep para. Për sa kohe qe ti nuk thua se si e favorizove atë, kjo është pak vështirë të klasifikohet si korrupsion.
Akuza më e rëndësishme në termat e interesit publik aty është ligjbërja me porosi. SPAK thotë se Monika Kryemadhi mori përsiper dhe ndryshoi një ligj për llogari të Samir Manes. Në këmbim përfitoi përkohësisht një vilë.
Tani këtë përfitimin e përkohshëm unë nuk e kuptoj si term. Se vilën ose ta japin dhe e përfiton, ose nuk ta japin. Përkohesisht d.m.th qe Samiri e paska lënë Metën ca kohë të rrijë pa qira tek vila e tij, që me pas ia shiti Batonit.
Që kjo akuzë të qëndrojë, duhet që njerezve t’u thuhet se çfarë ligji u ndryshua. Sa humbën qytetarët nga ndryshimi i këtij ligji. Çfarë dëmi iu bë konkurrencës apo interesit publik. Ndoshta do jenë në dosje.
Por të thuash që ndryshoi ligjin dhe përfitoi përkohësisht një vilë është si të thuash që gjuajti me tank dhe vrau një mushkonjë.
Nejse. Këta e kishin pikturuar Ilir Metën si simbolin e korrupsionit 30-vjeçar në Shqipëri. Me këto që thotë SPAK-u në akuzë, Meta s’paska qenë dot as 10 për qind e nivelit të Tushëve dhe Mollave që mbante Lali rrotull. Lëre pastaj artileria e rënde këtej nga inceneratoret, check-uprat, sterilizimet e më the e të thashë.