Litari në qafën e Ilir Metës nuk do lirojë aspak litarin që secilit prej nesh po i shtërngohet

Ted KOPLIKU

Padrejtësitë nuk shlyhen me padrejtësi. Dikush shkruante dje që drejtësia vonon por nuk harron. Në rastin e Metës besoj më shumë te shprehja origjinale. Nëse dikush ka vonuar e nuk ka harruar është Zoti jo drejtësia. Me siguri në sistemin e vlerave hyjnore Meta është i ngarkuar me dëmet që i ka bërë Shqipërisë, madje dëmin më të madh që ndokush mund ti ketë bërë: lenien peshqesh në krye të shtetit dhe betonimin e pushtetit të Edi Ramës.

Tërheqja e tij zvarrë nuk është as për këtë, as për aferat korruptive, as për « drejtorin me tre syrtarë », as për shitblerje votash e as për heshtjen dhe bekimin e tij kur Reforma në Drejtësi mbeti me një arkitetkt të vetëm. Po arrestohet opozita, jo Ilir Meta. Ai tërhiqet zvarrë pikërisht sepse është një nga drejtuesit me më shumë peshë të opozitës.

Kur komunistët morën pushtetin, popullit nuk ju përmirësua jeta, por u rehatua kur pa edhe jetë të tjera të degradonin si e tyrja. Ky ishte premtimi: « të gjithë të barabartë». Jo domosdoshmërisht në mirëqënie. Barazia mund të jetë edhe në mizerje. Premtimi u mbajt!

« Në litar» bërtiste ky popull, për këdo që partia i jepte « arësyet për ti urryer». As të pasurit, as kleri dhe as elitat intelektuale nuk u dënuan për çfarë kishin bërë, por për çfarë përfaqësonin.

Larg mendsh që Ilir Meta të krahasohet me një nga këto kategori, por afërmendsh shoqëria jonë po sillet njëlloj. Këtë here, ndryshe nga shekulli i kaluar, po përsërit veten edhe duke ditur përfundimin e historive me hakmarrje, por pa drejtësi.

Gjithçka me regji. Në sondazhin e para tre netëve Meta del si lideri më pak i preferuar i shqiptarëve. Sondazhe krejtësisht të orientuara, për të ndjerrë në pah opozitën e re. Me pyetjet « a keni mendim pozitiv apo negativ », sigurisht që njerëz pa asnjë përgjegjësi politike në 33 vite s’kan pse të gëzojnë mendim negativ, por jo domosdoshmërisht tregon tendencë vote. Më pas, dy netë përpara, produktet e laboratoreve të ambasadave na tregonin se si nuk ka « Europë » pa liderët e vjetër në burg dhe në fund, dje vjen arrestimi i Ilir Metës duke u tërheqë zvarrë nga makina.

«Zvarr», «Në litar», prap bërtisnin të njëjtit spektatorë, përballë të të njëjtës regji, me të njëjtit aktorë. Po të mundohesh të argumentosh me këtë shoqëri që përfaqësuesit ja zgjedhin bandat e periferive, që deputetët e tyre strehojnë vrasës për të qënë në krye të listës apo që vidhet brutalisht prej 12 vitesh me miliona e miliona euro, që nuk i bëjnë më as përshtypje, të kthehen me argumentin idiot : « Ilir floririn po mbron ti ? ».

Kjo shoqëri nuk ka kuptuar asgjë nga gabimi 45 vjeçar ndaj po e përsërit në identik. Drejtësia e re që në krijimin e saj vetëm ka dëmtuar opozitën dhe forcuar pushtetin e një njeriu, i cili tashmë bën projeksione për 3 mandatet e ardhshme. Kjo do duhej të mjaftonte që heronjtë e fëmijëve tanë të mos ishin të paktën heronjtë tanë. Aq më pak të atyre që e kanë parë një herë këtë film.

Marrja zvarrë e Ilir Metës nuk po çon drejtësinë në vend, por po betonon shtetin autokratik, madje diktatorial të një personi që përdor drejtësinë, median, sovranitetin e vendit, institucionet dhe tokën shqiptare si pronë e tija.

Në zgjedhjet pa opozitë nesër, ky njeri do ketë forcën që edhe me Kushtetutë të kthejë histerinë e tij në ligj. Më në fund do kemi Zeusin e premtuar, por litari në qafën e Ilir Metës nuk do lirojë aspak litarin që secilit prej nesh po i shtërngohet.

About Redaksia

Check Also

Mashtruesi i korridoreve të Brukselit!

Nga Armand MAHO “Mos gënje, edhe nëse je në politikë”- Robert Shuman! Nëse ideatori i BE …