Kriza tek ndërtimi sjell gropën 56 milionë euro në vetëm 9 muaj

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka shprehur shqetësim mbi zvarritjen e trajtimit në komisionet parlamentare të nismës së deputetes Blerina Gjylameti për rivlerësimin e pronave.

Përmes një deklarate për shtyp, NAREA bën me dije se tregu i rishitjes së pasurive të paluajtshme është pranë një kolapsi për shkak të paqartësive dhe mungesës së vendimmarrjes për fillimin e procesit të rivlerësimit me 5% brenda muajit shtator 2024, sikurse u deklarua publikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas shoqatës kjo situatë ka dhënë efekte në tregun imobiliar duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit.

Sipas NAREA, për 9 muajt e parë të 2024, janë arkëtuar më pak se 2% e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një gropë prej 56 milionë Euro.

NAREA bën thirrje për zhbllokimin e kësaj situate, duke theksuar se Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave, duhet të kenë një vëmendje të zgjeruar ndaj rreziqeve që po i kanosen industrisë.

Pak ditë më parë Kapitali publikoi lajmin se qeveria e ka pezulluar miratimin e ligjit për rivlerësimin me argumentin se do të rrisë cmimet e referencës në të gjithe territorin e Shqipërisë, ashtu si bëri në Tiranë.  Kjo e shtyn miratimin e draftit për pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

About Krye Redaktor

Check Also

Qeveria, ligj për të sjellë 30 milionë euro bitcoin të krimit nga Belgjika

Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj, i cili bën të mundur sjelljen e kriptomonedhave të …