Monika Kryemadhi ka bërë një analizë të detajuar të vendimit të SPAK për ta marrë si të pandehur për 3 vepra penale: ‘korrupsion’, ‘mosdeklarim të Pasurisë’ dhe ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.
Deputetja e PL tregon se si organi i akuzës është mbështetur mbi ligjin Nr. 8331 për “Ekzekutimin e vendimeve Penale”, që është ndryshuar në vitin 2020, por prokurorët e SPAK sipas saj kanë zbatuar atë vitit 1998.
Kryemadhi ka nxjerrë dhe vendimin e 20 qershorit të vitit 2020 që mban firmën e ish kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që shfuqizon ligjin në fjalë të 98-tës duke futur në fuqi ndryshimet e bëra. E për këtë në Instagramin e vet, Kryemadhi shkruan:
“Drejtësia e re me ligjet e vjetra.
Të nderuar qytetarë, aq me nxitim dhe aq me urdhër e ka pasur kjo drejtësi e re goditjen time politike, sa që kanë përdorur një ligj të shfuqizuar jo pak por plot 4 vite më parë.
Shikoni, vlerësoni dhe gjykoni vetë faktet me poshtë, por mos harroni që secilin nga anëtarët e kësaj drejtësie e paguajmë 5-6 mijë euro/muaj ne të gjithë së bashku.
Kjo është drejtësia që duam?”, shkruan Kryemadhi.
Kujtojmë që për Monika Kryemadhin është vendosur masë sigurie “Detyrim Paraqitje”, ndërsa për ish bashkëshortin e saj, Ilir Meta “Arrest me Burg”, sanksion që po e konsumon në burgun 313 në kryeqytet.