Pavarësisht kapeles që mbante në kokë nuk ishte e vështirë të dallohej kryeministri shqiptar Edi Rama në radhët e para VIP të ndeshjes së NBA mes New York Knicks dhe Indiana Pacers. Nga një kërkim që ka bërë ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi, vendet ku ishte ulur kreu i qeverisë së bashku me djalin e tij të vogël, Zahon dhe disa persona të tjerë ka çmime mjaft të kripura.
“Sipas të dhënave zyrtare online, këto bileta kushtojnë nga 3600 deri në 7260 dollarë për person” – tha Këlliçi në një deklaratë për mediat në selinë blu. “Sa kushtojnë biletat e ndeshjes së basketbollit, që familja Rama pati mundësinë ta ndiqte nga rreshti i parë, në ulëset më të shtrenjta të Madison Square Garden? Kush pagoi për këto bileta?” – tha Këlliçi.
Duke kujtuar se kjo nuk është hera e parë që Rama përfiton si dhuratë bileta të tilla luksi për të ndjekur ndeshjet e NBA në SHBA, Këlliçi ka sjellë edhe një deklaratë të 12 janarit, 2016. Atëherë Rama u justifikua se nuk kishte paguar pasi biletat i ishin dhuruar.
“E vërteta është se çdo biletë, qoftë edhe abonimet vjetore, kanë një kosto financiare tejet të lartë. Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, Edi Rama nëse i është ofruar dhurata në cilësinë e Kryeministrit, nuk duhej ta pranonte. Nëse dhurata i është bërë si individ privat dhe ajo dhuratë tejkalon vlerën e 100 eurove, Edi Rama duhet ta deklarojë pranë ILDKPKI. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, në deklaratën vjetore të vitit 2016, Edi Rama nuk ka deklaruar dhuratën e ndeshjes së NBA dhe as shpenzimet e udhëtimit të tij privat në New York” – thotë Këlliçi.
Ish-deputeti thotë se edhe reklama e Edi Ramës në billboardin e shfaqur në Times Square kushton 150 dollarë për vetëm 15 sekonda.
“Qytetarët shqiptarë sot duhet të dinë se sa ka kushtuar aktiviteti i djeshëm i Ramës në New York, duke filluar pikërisht nga reklama e tij pompoze në billboardin e Times Square. Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se kush janë financuesit dhe organizatorët e takimit të djeshëm të Edi Ramës, në një ndër sallat më të famshme dhe të shtrenjta të globit, në Gotham Hall, 1356 Broadway, në zemër të Manhattan, në New York.
Sa ka kushtuar qiraja e sallës në këtë ambjent, fonia, ndriçimi, led wallet, shërbimi i sigurisë dhe kush i ka paguar këto fatura?” – thotë Këlliçi sipas të cilit për të gjitha të dhënat e mbledhura, PD do t’ia përcjellë SPAK duke e akuzuar për deklarim të rremë të pasurisë.
“U takon organeve të drejtësisë, të gjejnë kush janë këta bamirës që shpenzojnë qindra mijëra dollarë për dhuratat dhe qejfet e Edi Ramës në SHBA, pasi këto janë vetëm disa aktivitete që janë mundur të zbulohen nga opozita” – e mbyll Këlliçi.