Një javë para zgjedhjeve lirohet nga burgu aleati i ish-Presidentit Trump, Steve Bannon

DANBURY – Aleati i hershëm i ish-Presidentit Donald Trump, Steve Bannon u lirua nga burgu të martën, pasi vuajti dënimin me 4 muaj burgim, për shpërfillje të hetimit të Kongresit, për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Zoti Bannon u largua nga burgu federal në Danbury, të shtetit Konektikat, sipas Kristie Breshears, zëdhënëse e sistemit federal të burgjeve. Zoti Bannon kishte njoftuar mbajtjen e një konference për shtyp në Manhatan, thanë përfaqësuesit e tij. Ai pritet gjithashtu të rifillojë transmetimin e emisionit të tij podcast.

Zoti Bannon, në moshën 70-vjeçare, u paraqit në burg më 1 korrik, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për të shtyrë ekzekutimin e vuajtjes së dënimit në burg, ndërkohë që shyrtohej në apel.

Juria gjyqësore e shpalli fajtor zotin Bannon në vitin 2022, me dy akuza për shpërfillje të Kongresit: njëra për shkak se refuzoi të dëshmonte në komisionin hetimor për 6 janarin dhe e dyta për shkak se refuzoi të paraqesë dokumentet e lidhura me përfshirjen e tij në përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Kur filloi vuajtjen e dënimit në korrik, zoti Bannon e quajti veten “të burgosur politik”.

“Jam krenar që shkoj në burg”, tha ai në atë kohë, duke shtuar se po bënte rezistencë ndaj prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland dhe një Departamenti Drejtësie “të korruptuar”.

Ish-Presidenti republikan Donald Trump po rikandidon për president në zgjedhjet e javës së ardhshme përballë Nënpresidentes demokrate Kamala Harris.

Një gjykatë federale apeli mbajti në fuqi në maj dënimin ndaj zotit Bannon, i cili kërkon tashmë rishqyrtimin e plotë të çështjes gjyqësore. Ekipi i tij ligjor thotë se fletëthirrja që iu dërgua zotit Bannon nga Kongresi është e pavlefshme, pasi ish-Presidenti Trump gëzon imunitetin e ekzekutivit. Prokurorët thonë megjithatë se zoti Bannon ishte larguar vite më parë nga detyra në Shtëpinë e Bardhë dhe se ish-Presidenti Trump nuk e ka ngritur zyrtarisht pretendimin për imunitetin përpara këtij komisioni.

Zoti Bannon përballet me akuza të mëtejshme penale në gjykatën e Nju Jorkut, ku akuzohet se mashtroi donatorët që dhanë para për ngritjen e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Zoti Bannon ka deklaruar pafajësinë për akuzat e pastrimit të parave, konspiracionin, mashtrimin financiar etj. Gjyqi për këtë çështje pritet të fillojë në dhjetor.

About Krye Redaktor

Check Also

Roli i Elon Musk në fitoren e Trump

Menjëherë pasi republikani Donald Trump shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të mërkurën në mëngjes, presidenti …