Drejtues të protestës së opozitës kanë paralajmëruar se në rast se do të provokohen protestuesit, atëhere do të rrethohet i githë Surreli, ku ndodhet edhe banesa e kreut të regjimit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i ka drejtuar një thirrje forcave të policisë që të mos provokojnë qytetarët. Noka, nga ish-sheshi Shqiponja, atje ku janë mbledhur mbështetës të opozitës prej orës 17:00, tha se nëse policia nuk do të largohet dhe do të vijojë të provokojë qytetarët, atëherë destinacioni i protestuesve do të jetë Surreli.
“I bëj thirrje këtyre narko-banditëve të veshur me uniformë që të mos provokojnë qytetarët. Të largohen, ndryshe reagimi ynë ka vetëm një rrugë, destinacioni ynë do të jetë Surreli”, tha Noka, duke iu referuar kështu banesës ku jeton Kryeministri Edi Rama.
Pas disa minutash tensioni mes deputetëve të PD-së dhe forcave të rendit te ish-sheshi Shqiponja, atje ku prej orës 17:00 po protestohet në kuadër të mosbindjes civile, duke bllokuar akset rrugore në 6 pika kryesore në të gjithë vendin, i është vënë flaka disa gomave. Gjithashtu edhe një kazan mbeturinash ka marrë flakë.