Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një analizë për qeverisjen e Partisë Demokratike gjatë viteve 2005-2013.
Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha theksoi se ‘në vitet 2005-2013 PBB u rrit në 10 mld, rrogat u dyfishuan, pensionet u rritën mbi 70% dhe u ndërtuan 11 mijë km rrugë’.
“Të dashur miq, në vitet 2005-2013 prodhimi i brendshëm u dyfishua. Buxheti u dyfishua. Prodhimi u rrit nga 5 miliardë në 10 miliardë.
Por më falni, si u pasqyrua kjo rritje tek qytetari shqiptar? Si e ndjeu këtë rritje qytetari shqiptar?
Këtë rritje të prodhimit të brendshëm nga 5 miliardë që ishte në 2005, në 10 miliardë në 2013 qytetari shqiptar e ndjeu me dyfishimin dhe mbidyfishimin e rrogave të tij.
E ndjeu pensionisti shqiptar me dyfishimin e pensionit minimal, me rritjen 70, 80% të pensionit mesatar dhe rritjen me 50% të pensionit maksimal.
E ndjeu qytetari shqiptar me ndërtimin e 11 mijë kilometrave rrugë me një buxhet gjysma e buxhetit të këtij viti. 11 mijë kilometra rrugë.
Ndërtimin e 1300 shkollave, kopshte e objekte arsimore. Shtrirjen e internetit dhe ngritjen e laboratoreve të informatikës me 26 mijë kompjutera në 2100 shkolla të vendit.
E ndjeu, me ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza nga Shëngjini në Ksamil.
E ndjeu, me uljen drastike të çmimeve telefonike celulare, me uljen drastike të çmimit të internetit.
E ndjeu, me mbidyfishimin e bizneseve në mbarë vendin.
Të dashur miq, pra, në rast se prodhimi i brendshëm u rrit vërtetë 100%, dhe po kaq buxheti i shtetit. Këto u konvertuan ashtu siç duhet në mirësi për qytetarët shqiptarë.
Paratë ishin të tyre. Qeveria kishte një detyrë dhe vetëm një, t’i shpërndante ato në mënyrën më të drejtë të mundshme, më të ndershme të mundshme”, tha Berisha.