Skandali/ Ekspertizën e Ramës e bën Linda, PD letër donatorëve: Mos i bazoni raportet tuaja tek monitorimi i gruas së Kryeministrit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër të gjithë bordeve të donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Linda Rama.

Letra drejtuar UNDP, ILO, UNICEF, USAID etj vë në dukje se  ‘Linda Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj per të kryer matje , analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë përsa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit’.

Deputetët ngrenë shqetësimin se ‘Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve te sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht Linda Rama e cila për shkak te interes të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmërinë.

Gjithashtu pasurimi Linda Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë’. Ekspertiza e Linda Rama mund të përdoret në raporte për shtete të tjera, ku zonja nuk ka konflikt interesi.

Grupi Parlamentar pasi sqaron gjithë problematikat që vijnë nga ky fakt shprehet se: ‘Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores Linda Rama dhe kërkojmë eliminimin të çdo lloj influence  si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë’.

Teksti i plotë i letrës

Të nderuar

Duke vlerësuar maksimalisht institucionet tuaja prestigjioze të cilat e kanë ndihmuar edhe e ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe reformave duam të ndajmë me ju një shqetësim thelbësor që lidhet me paanshmërinë dhe impaktin real të projekteve tuaja nga te cilat rrjedhin qëndrimet tuaja mbi ecurinë e Shqipërisë.

Raportet tuaja të monitorimit për Shqipërinë kanë një nga autorët themelor Linda Rama  ose qendrën ku ajo është bashkëthemeluese ‘Human Development Promotion Center’

Linda Rama, është bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.  Ajo sipas protokollit shtetëror përfaqëson bashkë me të shoqin qeverinë shqiptare. Thënë këtë, Linda Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktit të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj për të kryer matje , analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë përsa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit.

Shqipëria sot vuan nga mungesa e theksuar e të dhënave të besueshme edhe objektive. Ndaj çdo raport ndërkombëtar mbi ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe social në Shqipëri, konsiderohet një burim i besueshëm informacioni që tejkalon propagandën edhe  mosbesimin e gjithë  palëve të tjera.

Po ashtu raportet e donatorëve furnizojnë me njohuri të  nevojshme edhe të domosdoshme  për ndërtimin edhe të politikave zhvillimore . Por duke u përgatitur direkt nga shtëpia kryeministrore kjo vë në rrezik gjithë besueshmërinë e raportimeve tuaja, duke dobësuar kështu besimin e publikut se ju jeni partnerë të barazlarguar nga palët politike.

Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve të sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht Linda Rama e cila për shkak të interesit të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmërinë. Gjithashtu pasurimi i Linda Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë.

Ne nuk gjykojmë kapacitet profesionale të zonjës Rama por gjykojmë se kriteret e saj të pavarësisë, edhe pranushmërisë janë të cenuara. Linda Rama mund të ketë ekspertizën dhe njohuritë e nevojshme për të qenë ekspertja juaj në çdo vend tjetër ku nuk ka konflikt të hapur interesi, e ku nuk do ti duhet të vlerësojë apo gjykojë politikat e ndërmarra nga bashkëshorti edhe babi i djalit të saj i cili ka 12 vjet që qeveris.

Standardet tuaja etike për shmangien e konfliktit të interesit ku para marrjes së çdo projekti cilido ekspert duhet të kaloj kriteret e pranueshmërisë (eligible criteria), në këtë rast nuk janë plotësuar.

Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores znj.Linda Rama dhe kërkojmë eliminimin e çdo lloj influence si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë.

Interesi ynë është bashkëpunimi me organizatat tuaja, edhe referimi si të dhëna të sakta të raportimeve tuaja. Ndaj pavarësia dhe largësia nga palët politike, do ishte qendra e besimit mes nesh dhe jush.

Duke vlerësuar maksimalisht ndjeshmërinë tuaj ndaj paanshmërisë politike

Ju falënderojmë

Deputetet e Grupit Parlamentar të PDSH

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …