Në Shqipëri, pensioni mesatar arriti në 17,300 lekë në 6-mujorin e parë 2023, ose 164 euro. Pensioni mesatar në Shqipëri rezulton rreth 50% më i ulët se mesatarja rajonale. Ndërsa, të dhënat krahasuese tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri këtë vit është 48% më i ulët se në Serbi, 47% më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, 54% më i ulët se në Mal të Zi dhe 40% më i ulët se në Bosnjë-Hercegovinë dhe 50% më i ulët se në Kosovë.
Vendet e rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali Zi rritën ndjeshëm përfitimet e pensionistëve vitin e fundit.
Në Mal të Zi pensioni mesatar ka arritur në 464 euro. Gjatë 2023 ka pasur rritje për tre herë: në shkurt 2,5% , qershor 8,1% dhe shtator 5.5%. Pensioni më i ulët është 300 euro, ndërsa kryeministri aktual ka premtuar rritje për 50% të pensonit minimal.
Në Maqedoninë e Veriut pensioni mesatar është 310 euro, por që nga vendet e ish-jugosllave konsiderohet si pensioni më i ulët. Qeveria ka paralajmëruar rritjen e pensioneve nga viti i ardhshëm, ndërsa këtë vit do të aplikoj subvencione sociale për pensionet më të ulta. Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të fundit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, janë të regjistruar rreth 333.000 pensionistë, prej të cilëve rreth 90.000 persona marrin pensionin më të ulët 200 euro.
Në Serbi, aktualisht pensioni mesatar është rreth 341 euro, pas rritjes së fundit në tetor të këtij viti për 5.5%, por rritja më e lartë ishte në janar 2023 me një total 20%.
Në Bosnjë-Hercegovinë pensioni mesatar është 344 euro. Pensionet në Bosnjë u rritën tre herë në gjysmën e parë të vitit 2023 me rreth 16%, një herë në janar, më pas në prill dhe me 5% në nëntor. Qeveria vendore ka paralajmëruar rritje të radhës gjatë vitit 2024.
Për dallim nga këto vende, në Kroaci si vend anëtar i BE-së pensioni mesatar së fundi është rritur në 507 euro. Nga janar pritet ritje e radhës nga 3 – 5%, ndërsa pensionistët kroatë presin edhe shtesa të tjera që i ndihmon shteti, por edhe pensionin e 13-të për fundvit.