Pranga opozitarëve, SPAK e di rolin e vet për “Planin 2030” të Edi Ramës!

Nga Boldnews.al

Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme thirri për të pyetur deputetin demokrat, Asllan Dogjani, për një kallëzim të dorëzuar në adresë të tij. Pak ditë më parë, i njëjti ritual u ndoq me deputetin Luan Baçi. Më herët akoma, është pyetur deputeti tjetër opozitar, Flamur Noka.

Sali Berisha po qëndron prej gati një viti në arrest shtëpie. Ervin Salianji është në burg. Fatmir Mediu po bëhet gati. Ilir Meta u tërhoq zvarrë për ta çuar te “313”.

Ditë të lodhshme këto për prokurorët e posaçëm. Po i marrin të gjithë deputetët demokratë një e nga një, duke mbingarkuar veten me veprime proceduriale, me shkresa e me angazhimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ka një zgjidhje më të thjeshtë për t’ua hequr këtë barrë me opozitarët. Kodi Penal ka seksione për “krime që cënojnë rendin kushtetues” për “krime kundër shtetit” apo, duke shkuar akoma më larg, edhe “vepra terroriste” të kryera me zjarr e shpërthime.

SPAK-u mund të aktivizojë këto nene penale dhe t’i arrestojë drejtuesit demokratë, si ata në Parlament e seli, por edhe nga Malësia e Madhe në Sarandë. Të gjithtë që kërkojnë të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës të akuzohen për cënim të rendit kushtetues, me deklarata, me protesta apo edhe me thjesht statuse në rrjete sociale.

Materialet i ka gati. Ka punuar për këtë ditë Policia e (pu) Shtetit, Parlamenti dhe vetë Partia Socialiste.

Ata që protestojnë dhe bllokojnë përkohësisht rrugët, të jenë subjekt i veprave penale që lidhen me krime kundër shtetit.

Ata që u vënë zjarrin karrigeve të Parlamentit, të arrestohen për “vepra terroriste”. Kallëzimin për këta të fundit e ka gati. Plot 23 deputetë janë kallëzuar në SPAK nga Parlamenti i Elisa Spiropalit.

Këta të fundit mund t’i akuzojë për djegien e Parlamentit, njëlloj siç ndodhi rreth 90 vjet më parë në Gjermaninë e Adolf Hitlerit.

Një zjarr i rënë në godinën e Parlamentit Gjerman (Reichtag) në 27 Shkurt 1933 u përdor nga Hitleri për të akuzuar kundërshtarët e tij politikë dhe për të marrë të gjithë pushtetin në duart e tij.

“Djegia e Reichtag-ut” ishte një operacion shumë i mirë për politik, për të krijuar premisat e dorëzimit total të Shtetit në një dorë të vetme.

Edhe SPAK-u, tashmë ka shansin e artë që të dorëzojë Shtetin në duart e Liderit, të Njëshit, të atij që po lodhet e stërmundohet për “Shqipërinë e vitit 2030”.

Prokurorët e posaçëm, me një dorë, mund t’i mbledh të gjithë opozitarët.

I gjithë operacioni realizohet brenda një nate të vetme. Nuk ka nevojë që Policia të përdorë forcat speciale për arrestimin e tyre, siç ndodhi me Ilir Metën. Aq të lodhur e të rraskapitur sa janë opozitarët në kaq vite drejtim të Edi Ramës, ata nuk kanë fuqi as të largohen dhe as të kundërshtojnë.

Mund të arrestohen lehtësisht, madje edhe duke përdorur forcat e Policisë Rrugore, ose-ose, edhe rojet private të “Illyrian Guard”, shpikjes me autor ish-ministrin e Brendshëm kimik, Sandër Lleshaj.

Dhe të gjithë bien rehat, se SPAK-u po lufton “korrupsionin dhe paligjshmërinë” e opozitës, e cila ka 12 vjet që është larg pushtetit.

Qeveria duhet për “Planin 2030”. Opozita nuk mund të pengojë me zhurmën e saj këtë projekt madhor.

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën me një fund të ngjashëm si të Asad

Kam kënaqësinë që të takoj sonte trupën elektorale të PD-së për kryeqytetin e Shqipërisë, për …