Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi gjatë një konference me mediat se “në qoftë se ka një sektor që ka marrë certifikatën botërore të rrënimit në Shqipëri është sistemi arsimor”.
“Arsimi gjithashtu është në degradim. 2.6 përqind për fëmijët e Shqipërisë përbën përqeshjen, përtalljen më të madhe.
Në qoftë se ka një sektor që ka marrë certifikatën botërore të rrënimit në Shqipëri është sistemi arsimor.
Rënia në testin e cilësisë, në vlerësimin e PISA-s me 68 pikë është rënia më e madhe se e çdo vendi tjetër në planet.
Dhe me gjithë këtë rrënim që i bëri arsimit më korrupsionin e vet ish-Linda e parlamentit, Linda e ministrisë dhe pasardhësja e saj, tani dërguan aty Korbën e Kovidit për t’i dhënë ‘colpo di grazia’ dhe i caktoi një buxhet qesharak.
Garantoj mësuesit, garantoj shqiptarët, prindërit, nxënësit se buxheti i arsimit do dyfishohet.
Se ashtu sikundër në periudhën e qeverisë së PD, cilësia e arsimit në testin PISA pati ngjitjen ndër më vertikalet, nuk them se arritëm nivelet që donim, por ngjitja ishte ndër më vertikalet, se e gjetëm shumë poshtë, përsëri do i kthehemi rritjes së arsimit, me synimin më madhor, një arsim me cilësi dhe nivel më bashkëkohor”, tha Berisha.