Studentja: Në këtë rrugë, çdo hap i joni është një hap drejt ndryshimit që duam!

Studentja e drejtësisë, Selma Avdiu, ka mbajtur fjalën e saj në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha te ‘Rruga e Shpresës’.

Duke vlerësuar zhvillimin e protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Avdiu u shpreh se ‘në këtë rrugë, besoj se çdo hap i joni është një hap drejt ndryshimit që duam’.

Gjithashtu Avdiu bëri thirrje që ‘nga ‘Rruga e Shpresës’, të bashkohemi për të ndërtuar një Shqipëri të re. Një Shqipëri ku ëndrrat tona janë të mundura, ku çdo i ri mund të gjejë arritje dhe vlerë përmes meritës dhe punës së ndershme’.

Avdiu: Të dashur qytetarë,

Sot jam para jush jo vetëm si një studente e juridikut, por si një e re e cila beson se Shqipëria ka potencial për të qenë një vend më i mirë, më demokratik dhe më i drejtë. Në këtë rrugë, që e quajmë ‘Rruga e Shpresës,’ unë besoj se çdo hap i joni është një hap drejt ndryshimit që duam.

Në këtë moment të rëndësishëm, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, një figurë e cila për dekada ka mbajtur të gjallë shpresën dhe vizionin për një Shqipëri demokratike dhe të drejtë. Me shembullin e tij, ai na ka frymëzuar të mos dorëzohemi për të drejtat tona dhe për një të ardhme më të mirë.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Ne kemi nevojë për një sistem që respekton liritë tona, që vlerëson të rinjtë dhe krijon mundësi për të gjithë. Ka ardhur koha që zëri i qytetarëve të dëgjohet, që premtimet e dhëna të mbahen dhe që politika të jetë për popullin dhe jo kundër tij.

Shqipëria ka nevojë për demokraci! Një demokraci që nuk është thjesht një fjalë, por një realitet i përditshëm. Një demokraci ku institucionet e pavarura funksionojnë, ku e drejta dhe zëri i qytetarëve respektohen. Përmes demokracisë, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Dhe më e rëndësishmja, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për drejtësi! Drejtësia është ajo që ndan një shtet të fortë nga një shtet të dobët. Drejtësia nuk është vetëm për të pasurit apo të fuqishmit, por për çdo shqiptar që kërkon të jetojë në një vend të lirë e të sigurt. Ne kërkojmë një drejtësi që nuk fal korrupsionin, që ndëshkon padrejtësinë dhe që jep shpresë.

Sot, nga kjo Rrugë e Shpresës, unë ju ftoj të gjithëve të bashkohemi për të ndërtuar një Shqipëri të re. Një Shqipëri ku ëndrrat tona janë të mundura, ku çdo i ri mund të gjejë arritje dhe vlerë përmes meritës dhe punës së ndershme.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Vëllai i Veliajt numëron 32 milionë euro pas 10 viteve në Bashki të Erionit, e nisi me 240 mijë euro

Pas kontrollove ndaj familjarëve të kryebashkiakut Veliaj, SPAK zbuloi se ato janë kryer në kuadër …