Berisha: Rama censuron në mënyrë të egër opozitën nëpërmjet AMA! Të përdorim rrjetet sociale siç bëri Trump

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ shprehu kritika të forta ndaj qeverisë Rama dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për kontroll të rreptë dhe censurë të hapësirës mediatike, duke penguar opozitën të shprehë pikëpamjet dhe mesazhet e saj. Sipas Berishës, mediat dominohen nga propaganda e qeverisë dhe figura të tjera si Erion Veliaj e Taulant Balla, duke shpërndarë informacione të njëanshme dhe mashtrime për qytetarët. Në të njëjtën kohë, Berisha u shpreh se mesazhet e opozitës shtrembërohen, fshihen ose minimizohen me qëllim manipulimin e opinionit publik. Kryedemokrati, Sali Berisha tha se AMA është shndërruar në një institucion që mbështet censurën dhe është bërë simbol i turpit kombëtar.

Gjatë fjalimit të mbajtur para mbështetësve dhe qytetarëve, Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra rolit të mediave kombëtare, duke i akuzuar për veprim në favor të qeverisë dhe për përndjekje të opozitës. Ai theksoi se mediat private dhe publike kanë humbur pavarësinë dhe janë kthyer në mjet propagandistik të kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, mediat veprojnë si altoparlante të qeverisë, duke përhapur dezinformime dhe duke promovuar interesat e të pasurve dhe të pushtetit, ndërsa injorojnë çështje të rëndësishme për qytetarët si pensionet e ulëta dhe vështirësitë ekonomike.

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje të fuqishme për përdorimin e rrjeteve sociale si mjet për të kapërcyer censurën mediatike dhe për të shpërndarë të vërtetat që fshihen nga mediat kryesore në Shqipëri. Berisha listoi televizionet si: RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, duke i cilësuar si të njëjta në mbështetjen e qeverisë dhe në censurimin e opozitës.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme misionare dhe misionarë të çështjes së drejtë të çdo shqiptari, të shoqërisë, kombit dhe vendit tonë.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, të cilët çdo natë me fjalën e tyre, të vërtetat që shprehin, çjerrin vellon të zezë të rëndë të censurës, të mashtrimeve të narkoshtetit ndaj qytetarëve.

Miqtë e mi, shqiptarët sot përjetojnë agresionin më të rëndë të mashtrimit njerëzor.

Një agresion që udhëhiqet direkt nga Edi Rama dhe zyra e tij, i cili në njërën anë shpërndan çdo sekondë me mjetet e propagandës qindra mashtrime e gënjeshtra për qytetarët, nga ana tjetër mbulon, fsheh, maskon me censurën e zezë të saj të vërtetat e hidhura, përjetimet e hidhura ndaj qytetarëve shqiptarë.

Censuron në mënyrë të egër opozitën, përpjekjet e saj për t’u paraqitur qytetarëve të vërtetat.

Enti i vëzhgimit të medieve audiovizive është shndërruar sot në entin e turpit kombëtar, e censurës kombëtare.

Sipas matjeve të ekspertëve të këtij enti, Edi Rama, Erion Veliaj, Taulant Bego Yaris, ministrat, zyrtarët, dominojnë tërësisht hapësirën mediatike të vendit.

Dominojnë pra, mbushin hapësirën mediatike me mashtrime, me trillime, me shpifje, kurse opozitës i jepet më pak se një e dhjeta e saj.

Opozitës i deformohen mesazhet, i fshihen mesazhet, i përmblidhen mesazhet vetëm e vetëm që të mashtrohen qytetarët.

Mediat kombëtare private dhe publike, se tani nuk i njeh më se çfarë janë, nga mëngjesi gjer në darkë janë shndërruar në altoparlante të qeverisë, në institucione të dezinformimit masiv.

I ndiqni ekranet e tyre, e kanë me borxh të japin edhe teshtimat e Edi Ramës, të japin çdo jaht që vjen dhe mbushet më 500 mijë litra naftë me 1/3 e çmimit në portet tona, de u bëka reklamë, paçka se supermiliarderët vijnë dhe nxjerrin udhëtimet falas pa pare, duke blerë naftën 4 herë më lirë se shqiptarët.

Kurse mediat e censurës kombëtare, mediat e lustrës kombëtare, nuk arrijnë kurrë t’u thonë shqiptarëve të vërtetat e tyre.

Nuk flasin njëherë për pensionistët.

Nuk tregojnë njëherë të vetme se ata pensionistë marrin një pension tre herë më të vogël se në Maqedoni, se në Serbi, se në Mal të Zi, se në Kosovë 60 përqind më të vogël. Ndërkohë që 11 vite më parë, ata qëndronin në krye për pensionet e tyre.

Mediat e censurës kombëtare, që të gjitha pa përjashtim do të thoshte një gazetar i ndershëm, linjat editoriale i marrin nga zyrat e famëziut Edi Rama dhe Fuga.

Ato funksionojnë me lista të dërguara nga Edi Rama, në të cilat u thuhet se ky politikan apo ajo politikane, nuk duhet të ekzistojë në lajmet tuaja, nuk duhet të ekzistojë në studiot tuaja.

Dhe lista e të tjerëve që duhet t’i ftoni, t’i denigroni, t’i agresioni në studio.

Mediat kombëtare janë shndërruar jo vetëm në censorë kombëtarë, por edhe në prokurorë të qeverisë ndaj kundërshtarëve të saj dhe opozitës.

Mediat kombëtare çdo gjë mund të jenë, por vetëm kombëtare nuk mund të jenë kurrë.

Nuk janë kombëtare mediat që fshehin të vërtetat.

Nuk janë kombëtare mediat që mashtrojnë qytetarët.

Nuk janë kombëtare mediat që i thurin lavde narkodiktaturës, që fshehin krimet e diktatorit, vëllait të tij, familjarëve të tij, ministrave të tij.

Nuk kanë gjë të përbashkët me kombin, por janë hanxharë të fjalës së lirë, janë hanxharë të komunikimit.

Ndaj miqtë e mi, me lutjen time, të përdorni me të gjitha mënyrat rrjetet sociale, të krijoni portale që janë shpatat e anticensurës.

Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës.

T’i lëmë në hapësirën e mashtrimit dhe të dezinformimit mediat e kontrolluara nga Edi Rama, të cilat i lënë opozitës më pak se 10 përqind dhe dërdëllisin gjithë ditën për Edi Ramën.

Të cilat përpiqen me çdo kusht të zbukurojnë me çdo kusht narkodiktaturën.

Përpiqen me çdo kusht të mbrojnë kriminelët e pushtetit.

Përpiqen me çdo kusht të paraqesin Shqipërinë si një vend normal, paçka se sot Shqipëria si asnjë vend tjetër në Europë ka të burgosur, në ndjekje penale liderë të tre partive kryesore opozitare, dhe sipas tyre kjo nuk është diktaturë.

O servilë, historia do u dënojë për mashtrimin që u bëni shqiptarëve.

Po në cilin vend të lirë mund të jenë të lirë 5 liderë të opozitës të burgosur me dëshmitarë të rremë dhe fallco?

Miqtë e mi, me lutjen time, sapo të shihni sondazhin e parë të tyre, kthejeni kokën.

Çfarë treguan zgjedhjet në SHBA? 1 miliard dollarë sondazhe, 1 miliard dollarë mashtrime dhe vetëm mashtrime.

Mashtrime që ngrihen gjer në nivel krimi sepse synojnë t’u shpëlajnë trurin, t’i keqorientojnë qytetarët.

Ndaj dhe po dëgjuat sondazh, menjëherë kujtoni qindra e qindra sondazhe në SHBA që nxirrnin fitimtare Kamala Harrisin dhe të humbur dhe të stërhumbur Donald Trumpin.

T’i lëmë ata në mashtrimet e tyre.

Lajmet i merrni nga rrjetet sociale dhe televizionet që i qëndrojnë besnikë të vërtetës.

Nuk ka si në Shqipëri, nuk dallon dot kush është RTSH, kush është Top Channel, Klan apo Vizion Plus.

Të gjitha në garë kush e kush më parë t’i lëpihet qeverisë, të mashtrojë qytetarin.

Cila e cila më shumë të censurojë opozitën, të demonizojë opozitën, të mashtrojë për opozitën.

Miqtë e mi, mos u besoni atyre që u fshehin të vërtetat. Kjo ndodhi në SHBA, por presidenti Trump me flamurin e të vërtetës ngadhënjeu mbi të gjitha mediat kryesore dhe pushtoi mendjet dhe zemrat e qytetarëve amerikanë, realizoi rikthimin më të jashtëzakonshëm me votën e lirë të të gjitha kohërave.

Ndaj dhe sa rrini dhe mbani kokën drejt ekranit me lajmet e medieve kombëtare, uluni dhe shkruani statuse, shkruani lajme në FB, u përcillni të vërtetat njëri-tjetrit në Twitter, Instagram, TikTok.

Ju e patë se si i kallet data Edi Ramës nga rrjetet sociale.

Ndaj dhe është koha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Dhe radha jonë kërkon mosbindje civile.

Kërkon që të gjithë ne të çelim dritaren e komunikimit.

Unë u them këtyre zonjave dhe zotërinjve që i përdorin mediat si gjuha e partisë, valët nuk janë të partisë, valët janë të qytetarëve shqiptarë. Nuk janë tuajat dhe ju i përdorni ato për Edi Ramën, për narkoshtetin, për Taulant Ballën, për Lubi Ballukun, për Damian Gjiknurin, Altin Dumanin, për banda, organizata kriminale me pushtet.

Historia nuk do ua falë kurrë.

Kthehuni pak në vitet ’90 dhe do gjeni se në agoninë e diktaturës, televizioni shtetëror ishte shumë herë më i saktë dhe informativ se ju që mashtroni sot me lajmet tuaja nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët shqiptarë.

Që i lumturoni me një të tretën e lajmeve për turizmin, paçka se çdo turist i kushton këtij qytetari të varfër nga taksat e tij 215 euro dhe përfiton prej tij 4 euro. Këto nuk ua thoni ju, se përsërisni statuset e mashtrimit të Edi Ramës.

Ndaj miqtë e mi, në këtë betejën tonë të mosbindjes civile, le të kthejmë kokën sapo të shohim dordolecë, mashtrues, altoparlantë, papagaj të qeverisë, që shpërndajnë mashtrime ditë e natë për të mbajtur në pushtet diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Licencat tuaja kombëtare janë shndërruar në antikombëtare, në altoparlantë të mashtrimit dhe dezinformimit të qytetarëve.

Historia do ju dënojë.

Është radha jonë!

Është radha jonë!

Është radha jonë!

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …