Nga Erion DASHO
Donald Tramp shpërtheu dyert e qeverisjes amerikane me një prej agjendave më sovraniste dhe më konservatore që mund të mendohej. Asnjë politikan i kohës moderne nuk ka arritur një fitore kaq spektakolare duke patur në qendër të fushatës një qëndrim kaq radikal dhe anti-establishment.
Turmat e oborrit qeverisës në Shqipëri, përfshi median e blerë dhe puthadore të Boratit, pasi u mbetën të pahapura shishet e shampanjës me të cilat shpresonin të festonin fitoren e agjendës “woke”, janë duke bërë me djallëzi pyetjen, “A do të preket direkt Shqipëria nga fitorja e Tramp?”
Përgjigjja ime është një “Po” e qartë dhe pa asnjë mëdyshje!
Shqipëria është pjesë e botës dhe sikundër çdo cep i botës edhe ajo do të preket direkt nga agjenda konservatore dhe kursi sovranist që do të ndërmarrë në katër vitet e ardhshëm superfuqia ekonomike, politike dhe ushtarake e planetit.
FAMILJA
Në qendër të ideologjisë fituese të Trampit është familja e shëndetshme, e madhe në numër, e ndërtuar sipas konceptit tradicional; familja e cila ka shërbyer prej mijëra vjetësh si bazë e ndërtimit të shoqërisë njerëzore.
Për të kuptuar dallimin e qartë me përafrimin trampist, mjafton të shohësh përçudnimin që ka sjellë rilindja në mënyrën e funksionimit të familjes dhe përpjekjen e sforcuar dhe artificiale për t’i imponuar shoqërisë shqiptare vlera të huaja dhe të papranueshme.
Me fitoren e Trampit, shoqëria shqiptare tradicionale dhe konservatore në gjenezë, do të marrë frymë e lehtësuar. Së fundi, edhe në Shqipëri do të rivendoset theksi tek familja si bërthama e komunitetit, shoqërisë dhe kombit.
KOMBI
“Make America Great Again”, MAGA, është një parrullë të cilën duhet ta zbatojë çdo popull dhe çdo komb, sidomos shqiptarët të cilët mund ta përdorin MAGA-n edhe literalisht, thjesht duke ndërruar America me Albania!
Sovranizmi që shpreh kjo parullë është emocionues për çdo patriot të mirëfilltë. Sigurisht jo për patriotët e shtirë dhe maskarenjtë e rilindjes të cilët tek nacionalizmi i shpifur kanë gjetur këto muaj strehën e fundit.
Në kohën kur kombi shqiptar ndodhet përballë sfidës më të madhe ekzistenciale, asaj të shpopullimit, MAGA shqiptare do të ishte parulla që do të shndërrohej në mision të lëvizjes që duhet të synojë fillimisht ndalimin e hemorragjisë apo “komb-rrjedhjes” dhe gradualisht do të sjellë rimëkëmbjen e kombit shqiptar.
MAGA shqiptare duhet të krijojë një “Aliyah” të kombit shqiptar për të rikthyer në Shqipëri të gjithë shqiptarët e dëbuar mizorisht nga tradhtarët dhe gjakprishurit e rilindjes dhe Boratit.
KUFIRI
Sot çdo vend ka nevojë për një emigracion të kontrolluar, por jo për një emigracion me dyer të shqyera. Në qeverisjen e Boratit, Shqipëria u kthye në kosh mbetjesh për kriminelët e botës, vend transit për trafikun e qenieve njerëzore dhe destinacion i forcës punëtore më të pakualifikuar.
Në epokën e inteligjencës artificiale, Shqipërisë i duhen indianët dhe ukrainasit që programojnë robotët e së ardhmes, jo bangladeshasit, nepalezët dhe afrikanët që vijnë në Shqipëri për ta përdorur atë si trampolinë në procesin e trafikimit në Evropë. Shqipërisë nuk i duhet as plani degradues “Meloni” dhe publiciteti negativ që ai krijon.
Shqipërisë së shekullit të 21-të i duhet qasja trampiste, hungareze dhe polake ndaj mbrojtjes së kufijve. I nevojitet emigracioni përzgjedhës, për të sjellë në vend emigracionin cilësor, për të mundësuar sa më tepër emigracion të trurit dhe sa më pak emigracion të muskujve.
EKONOMIA
Përkundër agjendës “drill baby, drill” të Trampit që synon ta kthejë Amerikën në fuqi energjetike, Shqipëria e Boratit i ka mëshuar agjendës hajdute të paneleve diellore dhe blerjes së energjisë së ashtuquajtur “të pastër” me çmime astronomike.
Llogaria është e qartë. Nëse KESH e ble energjinë diellore me një çmim nga më të lartët në botë, dikush mund të jetë duke përfituar qindra milionë euro nga kjo aferë. SPAK e ka për detyrë të hetojë atë që mund të jetë një krim ekonomik dhe korrupsion shumë më i rëndë se koncesionet e rrugëve, PPP-të e shëndetësisë dhe djegësit.
Çdo vend duhet të gjejë rrugën e vet të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Shqipëria është ende duke e kërkuar atë, por është e sigurt se as korrupsioni i kusarëve grykës të Boratit, as aleanca me oligarkinë dhe as ortakëria me narkotrafikun ndërkombëtar nuk janë modelet e duhur.
Shqipërisë sovraniste i nevojiten modele zhvillimi të ngjashme me ato që krijuan tigra si Singapori i largët, apo ekonomi solide si Sllovenia e afërt. Shqipëria duhet të identifikojë dhe të nisë të zbatojë një model, bazat e të cilit ka për detyrë t’i krijojë një lëvizje politiko-shoqërore e drejtuar nga parimet e MAGA-s.
BESIMI
Kombet e sotëm kanë patur tek besimi një nga bazat më të forta në rrugën e përvijimit dhe zhvillimit. Në amullinë e shekullit të 21-të, besimet vazhdojnë të ofrojnë yllin polar drejt të cilit shoqëritë orientohen kur rrezikojnë të humbin vlerat.
Borati katoliko-ortodokso-myslimano-ateist është në fakt një birbo që nuk ka asgjë të përbashkët me besimin. Besimi nuk mund të jetë kurrsesi shfrytëzim i fesë për palaçollëqe si marifeti me shtetin bektashi, apo përfshirja e komunitetit të nderuar mysliman në lojëra force me gylenistë dhe erdoganistë.
Shqiptarët e shekullit të 21-të duhet t’i rikthehen besimit. Duke u bërë myslimanë të mirë, ortodoksë të mirë, katolikë të mirë dhe bektashinj të mirë, qytetarët e vendit tonë do të bëhen edhe shqiptarë më të mirë.
***
Unë nuk e di nëse Trampi do të arrijë ta zhdukë apo ta dobësojë sorosizmin aq shpejt sa duhet për të mos e lejuar atë të njësohet me politikën amerikane dhe të bëjë ligjin në cepin tonë të botës.
Nuk e di as nëse Trampi do të arrijë ta rishikojë në kohë dosjen “non grata” të Doktor Berishës për t’i mundësuar opozitës një fushatë elektorale më të ndershme dhe më të barabartë.
Por ama unë jam i sigurt se një agjendë e bazuar tek familja, kombi, besimi dhe ekonomia e fortë do ta bëjë Shqipërinë një vend më të denjë për të jetuar sesa agjenda e bazuar tek perversitetet e lëvizjes “woke” që sollën në Shqipëri Borati dhe rilindja.
Unë jam i sigurt se “Make Albania Great Again” mund të frymëzojë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë të rikthehen në tokën e tyre për ta bërë atë një vend të begatë dhe familjet e fëmijët e tyre qytetarë dinjitozë të botës.
Unë besoj në forcën e ndryshimit që ka nisur me presidencën e dytë Tramp dhe uroj që në të njëjtin këndvështrim ta shohin edhe gjithë shqiptarët!
Çështja e shtruar sot para shqiptarëve është, “A do t’i bashkohen agjendës së Trampit apo do të vazhdojnë llokoçitjen në ujërat e turbullt ku noton prej 12 vjetësh Borati dhe rilindja?”
Mbështetja për Boratin dhe rilindjen sot është në kundërshtim me zhvillimin që do të nisë në mandatin e dytë të Trampit dhe me gjasa do të vazhdojë edhe në të ardhmen e parashikueshme.
Me zgjedhjet e majit 2025, bashkatdhetarët tanë në Shqipëri dhe në botë kanë shansin që vetëm pak muaj pas fitores së Trampit në Amerikë ta kthejnë Shqipërinë në një vagon të lokomotivës që sot quhet MAGA.
Ne, shqiptarët, duhet të kuptojmë se ka ardhur koha të hipim sërish në trenin që na çon në drejtimin e duhur të historisë…