CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82

Reforma e energjisë nga qeveria Rama e dështuar! Shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë në Europë

Deklarata e anëtarit të Kryesisë së PD, Eno Bozdo

A e mbani mend reformën e ‘suksesshme’ në sektorin e energjisë? Ka qenë kryefjala dhe kryemburrja e Ramës dhe maxhorancës së tij, për sa e sa vite. E mbani mend se si u burgosën me qindra familjarë të pamundur për të paguar çmimin e shtrenjtuar të energjisë elektrike? Sa e sa të tjerë i dhanë fund jetës se nuk kishin mundësi për të paguara faturat, që vetë Rama në vitin 2015 ua imponoi shqiptarëve.

Rama dhe qeveria e tij rritën ndjeshëm çmimin e energjisë në emër të shëndoshjes ekonomike të të tri ndërmarrjeve publike që zotërojnë sektorit: KESH, OST dhe OSHEE.

Në fakt ndodhi e kundërta: një dekadë më vonë, gjendja ekonomike dhe financiare e këtyre kompanive publike është katastrofike. Është më rëndë se në vitin 2015! Të treja kompanitë, sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave, i kanë borxh shtetit, dmth shqiptarëve, afro 600 milionë euro!

Por nuk mbaron me kaq: vetëm detyrimet e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime ndaj OSHEE janë rreth 380 milionë euro. Ndërmarrjet UK menaxhohen nga pushteti vendor, i cili që nga vitit 2019 është thuajse tërësisht në duart e Rilindësve.

Por ka edhe një të dhënë tjetër edhe më shqetësuese: detyrimet e ndërsjellta mes kompanive publike dhe qeverisë janë rreth 1,7 miliardë euro. Një shifër absurde por që tregon realisht kolapsin ekonomik të sektorit energjetik, keqmenaxhimim katastrofik, hajdutërinë dhe korrupsionin që karakterizon rilindjen edhe në këtë sektor.

Kompanitë e sektorit prej një dekade tashmë vuajnë, jo vetëm nga korrupsioni i niveleve të papërshkrueshme, por nga militantizmi i skajshëm politik. Me pak fjalë këto kompani jo vetëm që vidhen ditën për diell, por edhe mbushen me militantë rilindas që nuk bëjnë asgjë veçse patronazhojnë votën e shqiptarëve.

Me paratë e vjedhura vota blihet, dhe ai që nuk blihet, shantazhohet.

Prandaj Shqipëria e ka çmimin e energjisë të dytin më të lartë në rajon, pas Malit të Zi, dhe ndër më të shtrenjtët në Evropë, më të shtrenjtë se Gjermania, Holanda, etj, nëse marrim parasysh barazinë e fuqisë blerëse. Po të fusim në këtë përllogaritje edhe çmimin stratosferik të karburantit, rrogat më të ulëta në rajon, faktin se 46% e shqiptarëve jetojnë në varfëri, marrim një panoramë shumë të qartë për vizionin e Ramës ‘Shqipëria 2030’.

Dhe ky vizion është Shqipëria e varfëruar në skaj, e lodhur dhe pa shpresë, e braktisur nga të rinjtë dhe shtresa e mesme, është Shqipëria ku industria dhe bujqësia po tkurren me ritme të larta për herë të parë në 30 vjet.

Në votimet e vitit që vjen, shqiptarët duhet të votojnë mes projektit zhbërës të Ramës apo projektin tonë për një Shqipëri normale, ku jetohet, punohet dhe fitohet ndershmërisht, ku krimi nuk dikton as qeverinë dhe as politikën.

Shqiptarëve nuk mund t`i mohet e drejta për të votuar dhe vendosur ata vetë se kush do t`i drejtojë. Prandaj një qeveri teknike do të mundësonte disa kushte minimale për zgjedhje të lira. Partia Demokratike me programin e saj do tu japë shqiptarëve një rrugë reale për të normalizuar vendin, ekonominë dhe shoqërinë.

Së bashku ia dalim!

About Redaksia

Check Also

Blinken ‘dekoroi’ Dumanin me medaljen “McGonigal”

“RD” Në ditët e fundit të tij në Departamentin e Shtetit, Blinken i bëri një …