Vritet me snajper në mes të Tiranës biznesmeni, vendi nën terrorin e bandave!

Një atentat mafioz ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në mes të Tiranës, ku mbeti i vrarë biznesmeni Eduart Reçi, 52-vjeç.

Mësohet se Eduart Reçi ka qenë duke u ruajtur nga autorët dhe është qëlluar me armë zjarri sapo ka dalë nga banesa e tij, pranë një lokali në rrugën “Faik Konica” pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Burime për mediat bëjnë me dije se grupi hetimor ka bërë kqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë, por ato nuk kanë filmuar asnjë autor, vetëm shihet Eduart Reçi që shtrihet në tokë në momentin kur qëllohet, teksa të pranishëmit kanë dëgjuar edhe të shtënën e armës.

Ky i fundit ka marrë vetëm një plumb në kokë dhe dyshohet se autorët e kanë qëlluar nga një distancë e konsiderueshme me pushkë, dyshohet snajper.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje vetëm familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni që Eduart Reçi të ketë patur konflikt me ndonjë person. Forcat e policisë rrethuan vendin e ngjarjes pas atenatit, por deri më tani ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët.

Para disa vitesh, Eduart Reçi ka qenë drejtor në një prej drejtorive të institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, teksa vitet e fundit ka qenë i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim, pasi ka ndërtuar disa pallate pranë zonës ku iu bë atentati dhe është pronari i kompanisë “ELGM.shpk”.

Biznesmi Eduart Reçi me origjinë nga Dibra ishte babai i dy fëmijëve. Mësohet se pallatin ku jetonte, viktima e kishte ndërtuar vetë.

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …