Përfaqësues të DEA-s amerikane të zyrës së Athinës, John Livanis dhe Richard Deasy, kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda në zyrën e këtij të fundit.
Përmes një komunikate për mediat, zyra e shtypit të Policisë, nuk jep detaje nëse ka patur diskutime për ndonjë operacion konkret, por vetëm të terma të përgjithshëm për bashkëpunimin mes palëve kundër krimit të organizuar.
“Atasheu i DEA-s John Livanis, i cili u shoqërua në këtë takim nga Atasheu i ICITAP-it Richard Deasy, uroi Drejtorin, për detyrën e re, si dhe çmoi bashkëpunimin e deritanishëm në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu, Atasheu Livanis shprehu gatishmërinë e strukturave të DEA-s, për ta forcuar bashkëpunimin me Policinë shqiptare në të gjitha frontet e luftës kundër fenomeneve kriminale.
Ndërkaq, Drejtor Proda shprehu mirënjohjen për kontributin e DEA-s, në operacionet policore ndërkombëtare, shumë komplekse, që kanë patur objektiv shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë takimit, Drejtori garantoi atashetë se te Policia e Shtetit do të gjejnë angazhim, profesionalizëm dhe besueshmëri për çdo iniciativë që do të ndërmerret në të ardhmen, kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.