Kryetari i PD, Sali Berisha është shprehur se gjoba prej 120 mln euro ndaj Beketit, është më e madhja në historinë e vendit tonë.
Gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve në ditën e 320 të izolimit politik, Berisha tha se, dyshja Rama-Veliaj, mbyllën një nga televizionet më të pavarura në Shqipëri dhe që ishte denononcuesi më i madh i vjedhjeve të tyre.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore për ju, qëndrestare e qëndrestarë të pamposhtur, misionare e misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari, kauzës së lirisë, kauzës së dinjitetit, kauzës së mirëqenies, interesit kombëtar dhe integrimit të vendit.Të dashur miq, këto ditë në mediat e pakontrolluara nga qeveria ka zënë vend kryesor lajmi se Shqipëria pagoi gjobën më të madhe në tërë historinë e saj.
Gjobën më të madhe të kohërave.
Pagoi gjobën prej 120 milionë euro Beketit, i cili fitoi gjyqin kundër narkobanditëve të Tiranës në të gjitha shkallët, në Arbitrazhin e Bankës Botërore, në Bruksel dhe kudo.
120 milionë euro, edhe njëherë e theksoj se janë jo gjoba e shekullit, por gjoba më e madhe e të gjitha kohërave.
Kjo gjobë erdhi sepse Edi Rama me Erion Veliajn, në një akt të mirëfilltë antiligjor, antikushtetues, antidemokratik, mbyllën një televizion, Agon Channel, i cili funksiononte sipas rregullave më të mira të medieve të lira.
Ky televizion nuk pranoi të klonohej si mediat kombëtare që e censurojnë lajmin sot të Edi Ramës. Mediat antikombëtare të klonuara me TVSH-në, por përkundrazi në standardet e një media dinjitoze, informonte shqiptarët për vjedhjet klamoroze të Edi Ramës, qeverisë.
Filmoi dhe transmetoi dasmën në Kalanë e Gjirokastrës të Erion Veliajt, dasmën e bërë me paratë që ky hajdut i kishte dhënë në tender vëllait të tij.
Pra, ky hajdut edhe shenjtërinë e martesës nuk ngurronte ta përdhoste me paratë e vjedhura qytetarëve.
Dhe pastaj u vërsulën të tërbuar kundër televizionit, i vunë drynin, i prenë valët dhe sot në gjykatat më serioze të botës, Shqipërisë i konfiskohen 120 milionë euro të Albkontrollit, në gjobën më të madhe të kohërave”, u shpreh Berisha.