CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Bardhi: Buxheti i ri shkon vetëm për oligarkët, ndërsa qytetarët tanë vuajnë çdo ditë!

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi Edi Ramën se buxheti i vitit 2025, shkon vetëm për oligarkët.

Bardhi u shpreh se, Edi Rama dhe qeveria po tallet me pensionistët.

Fjala e plotë e Gazment Bardhit:

Të nderuar qytetarë shqiptarë, të dashur kolegë deputetë,

Ky është buxheti i 12-të që kjo qeveri sjell në këtë sallë, dhe për të 12-ën herë, ky buxhet është një dëshmi e qartë e asaj që qytetarët tanë vuajnë çdo ditë, korrupsionin galopant që po shkatërron ekonominë dhe shpresën e këtij vendi.

Jemi mbledhur për të folur mbi buxhetin, që normalisht dhe në thelb të tij ka prioritetet e qeverisë, ka ideologjinë qeverisëse të forcës politike në pushtet dhe objektivat që ajo ka për vitin 2025, apo për të shtruar rrugën drejt viteve të ardhshme me ato që do duhet të ndërtojë sot.

Por çfarë kemi sot… Sot kemi një dosje me fletë që flasin për shifra, pa asnjë histori njerëzore brenda saj.

Asnjë histori për shtresat në nevojë, asnjë tregim për pensionistët, asnjë plan për normalizimin e kostos së jetesës dhe çmimeve, asnjë farë për bujqit, asnjë shpresë për qytetarët.

Por në fakt mos ta bëjmë kaq të zi, ky buxhet në fakt i shërben disa njerëzve…, atyre që do marrin tenderat e rrugëve që fryhen me disa zero rrugës, atyre që do marrin paratë e subvencioneve në bujqësore që shndërrohen në hotele me 5 yje për qeveritarët si Olta Xhaçka, dhe për ata njerëz që kontrollojnë ekonominë në Shqipëri, që siç e shohim përditë në dosje, flasin me Ramën edhe për arkitekturën dhe arredimin e shtëpive të tyre.

Ky buxhet u shërben një grushti njerëzish që e kanë kapur këtë qeveri, që kanalizojnë cdo qindarkë në xhepat e tyre dhe mbysin tregun e lirë, konkurrencën dhe pengojnë uljen e çmimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky është një buxhet për oligarkët, për klientelën e qeverisë dhe për të pasurit. Por jo për ata që mezi ia dalin në muaj.

Për 12 vjet me radhë, secili prej jush që është në një punë, e ka parë që sa vjen dhe po ble më pak, po bën më pak pushime, ka më pak për të ndarë për familjen dhe fëmijët. E gjitha kjo nën dritën kur ju, që punoni ndershëm dhe me djersën tuaj me punën që keni, shikoni komshiun, të fortin e lagjes apo drejtorin e partisë që ndërsa punon si drejtor, ka një makinë të shtrenjtë, ka një shtëpi të madhe dhe e vetmja punë që bën, është të sigurojë vota për këtë qeveri.

Të nderuar qytetarë. Kur flasim për rritjen e pabarazisë, nuk ka të bëjë vetëm me mbledhjen e pasurisë në disa duar, por edhe për pabarazinë shoqërore, për vlerat shoqërore, ku sot, nën drejtimin ekskluzivisht të Edi Ramës, të punosh ndershmërisht nuk të mjafton të bësh një jetë dinjitoze, nuk të mjafton të blesh një shtëpi apo të sigurosh të ardhme të mirë për fëmijët. Të punosh ndershmërisht në Shqipëri, sot është të jesh një hap larg varfërisë. Dhe disa nga ju kanë zgjedhur të ikin, ndoshta me të drejtë, sepse dinjiteti ju nëpërkëmbet. Kjo nuk ndodh vetëm si pasojë e një drejtimi djallëzor që Edi Rama i bën qeverisë dhe shteti, por zanafilla e kësaj gjendje është tek këto buxhete, që ndahen që në ditën e parë për oligarkët, që nuk ndahen me programe, me projekte, por me llokma se kush do e marri portin, kush do e marri rrugën, aeroportin dhe cdo të mirë publike që ka në Shqipëri. Dhe për ju nuk ngelet asgjë.

Dhe sikur për vetëm pak sekonda të mos e paragjykojmë këtë buxhet. Unë kam një pyetje. Cili është prioriteti i këtij buxheti? Çfarë do të ndërtojë Shqipëria me këtë buxhet? Cila është rruga që shtrohet për të ardhmen e Shqipërisë me këtë buxhet?

Asnjë, vetëm ajo që do të ndahet me biznesmenët që pastaj do financojnë partinë për zgjedhjet që vijnë.

Sot ministri i Financave nuk di të përgjigjet se si përballet ky buxhet me koston e jetesës që tashmë po shndërrohet në një barrë të papërballueshme për qytetarët.

A e dini se çfarë ndodh sot në tregjet tona? Çmimet e ushqimeve bazë, buka, vaji, qumështi, kosi, janë rritur në nivele që shumica e shqiptarëve nuk i përballojnë më. Keni dëgjuar gjë nga ndonjë ministër se si do të përballohen këto çmime?

Një familje mesatare shqiptare shpenzon mbi 50% të të ardhurave vetëm për të ushqim Për këto familje, nuk ka pushime, nuk ka kursime, nuk ka jetë të denjë. Ata jetojnë për të mbijetuar. Dhe këta janë ajo që ne quajmë shtresë e mesme.

Dhe kur flasim kështu për shtresën e mesme, cili prej këtyre të qeverisë ka fytyrë t’u dalë përpara pensionistëve?

Të dashur qytetarë, le të flasim për prindërit tanë, për të moshuarit që kanë ndërtuar këtë vend dhe që sot trajtohen me një mungesë totale respekti.

Një pensionist në Shqipëri merr mesatarisht 15 mijë lekë në muaj? Si mund të jetojë dikush me këto para? Si mund të paguajë faturat, të blejë ilaçet dhe të ushqehet?

Të moshuarit tanë nuk jetojnë më me dinjitet. Ata numërojnë çdo qindarkë për të mbijetuar, ndërsa qeveria ofron një bonus fundviti që do të jetë sa një gjel deti me çmimet e sotme.

Prej 1 muajsh, maxhoranca është angazhuar në bisedë me pensionistët për t’i thënë se si nuk u dolën 12 vjet për t’i rritur pensionet.

Të dashur pensionistë. Mos u gënjeni, kanë 12 që ju gënjejnë. Në fund të ditës, në gjithë takimet që kanë bërë me ju, asnjë nuk ju ka thënë që do rriten pensionet… sepse nuk do t’i rrisin pensionet. Nuk kanë lekë se do i çojnë për biznesmenët e lidhur me ta. Nuk kanë asnjë plan, për të rritur pensionet. Por çdo të thotë kjo për ju?

Çmimet rriten, por pensionet mbeten mjerane. Dhe ndërkohë, qeveria na sjell projekte luksi dhe tendera me miliona euro për miqtë e saj, ndërsa ju shkoni drejt varfërisë ekstreme. Nuk ka asgjë në këtë buxhet për ju, pensionistë. Pensionet tuaja janë një turp kombëtar.

E mbani mend në vitin 2015, kur Edi Rama mblodhi gjithë bizneset dhe gjoja i detyronte të deklaronin punonjësit që punonin në të zezë? Asokohe kjo i duhej për të rritur vendet e punës në librin e sigurimeve shoqërore sepse edhe pse gënjeshtar, atëherë kishte pak cipë në faqe dhe donte që të mbulonte premtimin e vet për 300 mijë vende pune. Një gënjeshtër e madhe. Por të paktën u mundua ta propagandonte duke regjistruar punën në të zezë dhe duke e quajtur vend të ri pune.

Sot, të dashur pensionistë ka dalë t’i kërkojë bizneseve të njëjtën gjë, të regjistrojnë punonjësit, sepse ju ka thënë ju në takim që e kanë ata fajin që juve nuk ju rriten pensionet.

Të dashur pensionistë, kush e pengoi Edi Ramën në këto 12 vjet të ndërmerrte politika të regjistronte punonjësit në të zezë? Pse nuk e bëri për 12 vjet?

Kur nuk e bëri për 12 vjet, të jeni të sigurtë që nuk ka për ta bërë kurrë. Prandaj mos u gënjeni nga një gënjeshtar serial.

A është ky një buxhet për shqiptarët?

Ky është një turp! Ky është një dështim i madh i kësaj qeverie, që nuk arrin të kujdeset as për më të dobëtit mes nesh. Dhe thotë që është një qeveri e majtë.

Të dashur pensionistë. Ju gënjejnë kaq paturpësisht sepse mendojnë që votën tuaj e kanë në xhep. Ndëshkojini, mos u gënjeni më.

Partia Demokratike ka propozuar një skemë se si deri në vitin 2029, të mos ketë pensione më pak se 320 mijë lekë. Kjo është një skemë progresive vit pas viti, në përputhje me buxhetet dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Dhe tani dua të flas për bujqësinë, shtyllën e ekonomisë tonë që është lënë pas dore.

Fermerët shqiptarë janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi. Ata punojnë nga mëngjesi deri në darkë, shpesh me mjete primitive, për të prodhuar produktet që të gjithë ne konsumojmë. Por çfarë merr një fermer nga ky buxhet? Asgjë!

Çmimi i plehrave kimikë është trefishuar. Nafta për bujqësinë është më e shtrenjtë se në vendet fqinje. Ndërkohë, subvencionet që qeveria premton shkojnë tek ata që nuk kanë lidhje me tokën dhe prodhimin.

Sot, fermerët tanë nuk kanë tregje, nuk kanë mbështetje dhe nuk kanë asnjë arsye për të qëndruar në fshat.

Si mund të quhet ky një buxhet për zhvillimin ekonomik, kur sektori më vital i ekonomisë sonë është i harruar?

Të dashur qytetarë, bujqësia është modeli më i shndritshëm i qeverisë së Edi Ramës se si e koncepton ajo zhvillimin e këtij sektori.

Programi  IPARD i bashkimit Europian, është një program ndihme pikërisht për fermerët, për t’i ndihmuar ata për të ngritur ekonominë e tyre bujqësore dhe për të ndihmuar fermerët të fitojnë nga puna në tokën e tyre.

E dini kujt ua dha kjo qeveri paratë e ardhura nga BE? Biznesmenëve të lidhur me ta. Për të përfituar në mënyrë të paturpshme.

Dhe Shqipëria sot merr 0 lekë nga ky program, ndërkohë që fqinjët tanë po marrin qindra miliona euro. Pse të ndëshkohemi ne për vjedhjen e kësaj qeverie? Ndëshkoni ju këtë qeveri me votë.

Por nuk mbaron këtu. Sepse kjo fushë është edhe ndërgjegjja e Edi Ramës se si e koncepton qeverinë dhe propagandën për t’i gënjyer qytetarët. Ministrja e Bujqësisë, që u kap në vjedhje nga OLAF, organi hetues i BE, iku si Ministre Bujqësie dhe e dini ku është sot? Këshilltare e Edi Ramës.

Përse duhet ta mbajë Rama këshilltare zonjën Krifca? Për çfarë e këshillon ajo? Dhe mbani mend se çfarë do ju thotë për kumbullat dhe dardhat kur SPAKU të merret me këtë çështje…

Të dashur qytetarë, edhe për bujqësinë këtë herë, do kemi mollë të hedhura në kanal nga fermerët, prodhime që nuk do të kenë leverdi dhe subvencione që shkojnë jo në xhepat e fermerëve por të biznesmenëve të lidhur me qeverinë.

E gjithë kjo nuk është rastësi. Kjo është pasojë e një sëmundjeje të thellë që e ka kapluar këtë qeveri, korrupsionit.

Kudo ku ka marrëveshje që përfshihen paratë me qeverinë e Shqipërisë, vendet e huaja alarmohen sepse kanë frikë se paratë e tyre do të përlahen nga kjo qeveri. Rasti i emigrantëve të Italisë ishte i fundit me dokumentarin e RAI 3.

Ky buxhet nuk është për shqiptarët. Ky është një buxhet për klientelën e qeverisë. Çdo lek që vidhet nga tenderat dhe projektet imagjinare është një rrugë më pak për fshatin, një shtrat më pak në spitale dhe një pension më pak për të moshuarit.

E dini sa miliarda euro humbasim çdo vit për shkak të korrupsionit? Këto para mund të kishin ndryshuar jetën e çdo shqiptari. Por ato përfundojnë në xhepat e një pakice të privilegjuar.

Të dashur qytetarë, nuk mund të vazhdojmë kështu. Shqipëria ka nevojë për një qeveri normale, që punon për njerëzit, që vjen në parlament dhe tregon se si do t’i prekë buxheti jetët e tyre, jo të punojë për oligarkët që nëpërmjet tyre të përfitojnë matrapazët, drejtorët, ministrat apo edhe vetë kryeministri i Shqipërisë.

Të dashur qytetarë, kjo qeveri është shndërruar në një qeveri drejtorësh që vjedhin, në një qeveri që të mbron deri sa të sigurohesh që nuk flet, që siguri e motos ‘Mos pyet, mos trego’ Mos pyet se si i bëra lekët unë, dhe mos trego se si i bëre lekët ti, sepse vetëm kështu, Edi Rama ka sigurinë të thotë që unë nuk di se çfarë bën Beqja në ministrinë e Shëndetësisë, se çfarë bën Arben Ahmetaj te zyra ngjitur, se çfarë bën Lefter Koka, se çfarë bën Erion Veliaj te ish zyra ku ka qenë vetë.

Të gjitha aferat që janë përfshirë këta më sipër, të dashur qytetarë arrijnë në vlerën e mbi 1 miliardë eurove. 1 Miliardë euro mjaftojnë pothuajse të dyfishojnë pensionet, të ndërrojnë 50 spitale, 300 shkolla dhe dhjetëra rrugë. Sot janë në xhepat e tyre.

Edi Rama nuk i di këto, por ai del studio më studio për t’i mbrojtur. Kaq mjafton ti vëmë damkën si i paaftë, që nuk kupton se po e vjedhin.

Shikoni, nëse ju paguani një roje për të ruajtur shtëpinë por ndërkohë shtëpia juaj vidhet herë pas here, a e mbani më rojën në punë?

Kur kjo nuk arrin t’i garantojë rojës suaj vendin e punës që paguhet me rrogë minimale, përse duhet të jetë normale për kryeministrin e Shqipërisë që menaxhon 7 miliardë euro. Pushojeni nga puna në majin që vjen me votën tuaj sepse shumë para po ju vidhen nga xhepat tuaj, jo nga hajdutë me maskë, por nga ministrat e tij, nga njerëzit e tij të afërt.

Është koha të refuzojmë këtë buxhet të korrupsionit dhe pabarazisë. Është koha të luftojmë për një buxhet që vendos prioritet shqiptarët:

Një buxhet që rrit pagat dhe pensionet.

Një buxhet që mbështet fermerët dhe ul kostot e tyre.

Një buxhet që ul çmimet dhe ndihmon familjet të jetojnë me dinjitet.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …