I pyetur nga gazetarët në lidhje me premtimet elektorale të Edi Ramës se do të ju japë dy bonuse, kryetari i PD, Sali Berisha tha se, këto janë para që ai ua ka vjedhur pensionistëve nga muaji mars deri në tetor.
“Pa diskutim kjo është fytyra e vërtetë e tij, e Edi Ramës. Së pari, bonusi i fundvitit janë paratë që Edi Rama u vodhi pensionistëve nga muaji mars gjer në muajin tetor, të cilët sipas ligjit të parlamentit, që nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri përveç parlamentit, duhet të merrnin shtesën 4 përqind duke nisur nga data 1 mars.
Edi Rama çfarë bëri? Nuk ua dha, i mashtroi, i përçmoi, i përbuzi dhe shumën e krijuar nga marsi në tetor, do ta japë për bonus.
U bëj thirrje shoqatave të pensionistëve, të formulojnë dosjen, të padisin hajdutin në gjykatë, se nuk po u jep bonus, po i mashtron. Ato para ju duhet ti merrni si 4 përqind e pensionit tuaj, çdo muaj. Por ai nuk ua dha. I pashpirt.
Ndërkohë që rriti rrogat me 5 herë rrogat e larta dhe vitin e ardhshëm ka parashikuar gjithsej, 16 mln për indeksimin tuaj.
U bëj thirrje pensionistëve nesër të gjithë tek parlamenti, është dita që shqiptarët të dëgjojnë zërin e tyre, është dita që bota të dëgjojë zërin e tyre, është dita në të cilën çdo pensionist shqiptar duhet të tregojë veten siç është, burrë, grua kurajoz, guximtar që nuk lejon të shkelmohet mbi dinjitetin e tij, të përçmohet, të përbuzet nga një bandë që e vjedh ditë për ditë.
Ndaj dhe nesër në ora 5 pasdite, të gjithë para parlamentit për të mbështetur opozitën dhe amendamentet e saj në parlament”, tha Berisha.