Tirana u trondit ditën e sotme nga një ngjarje e rëndë ku një 14 vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë në shkollën “Fan Noli”.
Një nga dëshmitaret tregon se e pa ngjarjen, por nuk ndërhyri. Ajo tregon se është mjaftuar me ndërhyrjen e të tjerëve, ndërsa shprehet se nëse do të kishte një roje te dera e shkollës ngjarja do të ishte parandaluar.
“E pamë ngjarjen, por nuk ndërhymë. Ndërhynë ca të tjerë, ça do ndërhynim më? Jam e mërzitur dhe e stresuar. Po më bie të fikët për vete.
Po të ishte polici te dera e shkollës nuk do kishte ndodhur ngjarja, më vjen keq, nuk e di çfarë të them. Po të ishte ai, po të kishte një mësuese ia kishte dhënë ndihmën e shpejtë. Ambulanca atje ishte. Një doktor a ka atje apo s’ka doktor?”, u shpreh dëshmitarja për TCH.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të marte në Tiranë, ku një 14-vjeçar është vrarë me thikë, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, sapo ai kishte përfunduar mësimin, ndërsa dy të mitur të tjerë ndodhen të plagosur.
Viktima është Martin C., i cili sapo kishte mbaruar mësimin, rreth orës 13:10 minuta të së hënës dhe po ikte për në shtëpi së bashku me një shokun e tij, kur është sulmuar nga një grup bashkëmoshatarësh të tjerë, ku dyshohet se kanë qenë 3 persona.
Fillimisht të miturit janë ofenduar me njëri-tjetrin dhe më pas sherri ka degraduar deri në përdorimin e thikës nga njëri prej tyre.
Martin C. është goditur nga autori me thikë në zemër dhe në bark, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pasi është goditur me thikë, i mituri është afruar tek shkolla. Ka ecur disa metra dhe ka nisur të humbë gjak, më pas këmbët nuk i janë bindur dhe është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Menjëherë nxënësi i shtrirë në tokë është rrethuar nga fëmijët e tjerë të shkollës “Fan Noli”, që janë përpjekur t’i ndalin gjakderdhjen nga plaga në pjesën e majtë të stomakut.
Pak minuta pasi ka qëndruar i shtrirë në trotuar, me plagën që rridhte gjak, Martin C. ka humbur ndjenjat. Në këto momente, nxënësit e tjerë që i qëndronin përreth janë tmerruar. Një pjesë kanë nisur të qajnë, të tjerë vrapuan të lajmërojnë mësuesit, disa kanë marrë në telefon ambulancën, ndërsa disa policinë.
Kanë qenë kalimtarët e rastit, ata të cilët në momentin kur e kanë parë të miturin që ka humbur ndjenjat, e kanë marrë dhe e kanë dërguar në spitalin e Traumës, por ishte tepër vonë, pasi i mituri ndërroi jetë, duke mos iu mbijetua plagëve të marra.
Edhe shoku i tij, shtetasi L. M. ka marrë plagë thikë në gjoks dhe ndodhet në spital në gjendje stabël. Dyshohet se i plagosur ka mbetur edhe 14-vjeçari autor i krimit, i cili dyshohet se ka marrë një plagë në krah dhe ndodhet në një spital privat në kryeqytet.
Ndërkohë, Policia në momentin e krimit nuk ndodhej në afërsi të ambienteve të shkollës, ndryshe nga ajo se çfarë propagandohet nga Qeveria për sigurinë në shkolla. Më vonë, efektivët e Policisë kanë shoqëruar në komisariat një prej 14-vjeçarëve të përfshirë në konflikt për të dhënë sqarime mbi rastin.
Mësohet se 14-vjeçarët e përfshirë në kofnflikt janë të shkollës “Fan Noli”, si dhe të një shkolle në Sauk. Burime bëjnë me dije se sherri midis tyre ka nisur fillimisht në rrjete sociale për motive banale.
Ndërkohë, vrasja e 14-vjeçarit në derë të shkollë ka shkaktuar debate edhe në sallën e Kuvendit. Deputetja Ina Zhupa deklaroi se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu duhet të mbajnë përgjegjësi për sigurinë në shkolla dhe se kjo e fundit duhet të japë dhe dorëheqjen.
Ndërsa, Manastirliu u përgjigj se ata nuk duhet të japin shembull gjuhën e urrejtjes dhe theksoi se duhen forcuar më shumë mekanizmat e sigurisë në shkolla.
Reagimi i deputetes Ina Zhupa
Një 14-vjecar është vrarë para derës së shkollës “Fan Noli”. E kuptoni sa jashtë realitetit është buxheti juaj që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla? Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetë propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe Ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu. Është rritur siguria në shkolla thotë Manastirliu. Ky është rezultat i punës tënde të mrekullueshme dhe e buxhetit tuaj të mrekullueshëm. Duhet të mbani përgjegjësi bashkë me këtë ministrin e brendshëm, që nuk ka ardhur fare sot! Manastirliu duhet japësh dorëheqjen dhe të ikësh me turp nga ky skandal, pasi keni dështuar që me psikologët në shkolla, te oficeret e policisë në shkolla.