SHBA njeh kandidatin e opozitës si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë

Qeveria amerikane njohu të martën kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez, si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë. Presidenti Nicolas Maduro pretendon se është fitues i zgjedhjeve të kontestuara të mbajtura në muajin korrik.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e njohu zotin Gonzales si fitues të zgjedhjeve presidenciale përmes një shkrimi në rrjetin X, ndërsa bëri thirrje për respektimin e vullnetit të popullit të Venezuelës.

Administrata e Presidentit Joe Biden ishte shprehur më parë se zoti Gonzales kishte fituar shumicën e votave në zgjedhjet e debatueshme të 28 korrikut, por nuk ishte shprehur për njohjen e tij si president i sapozgjedhur.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës, i drejtuar nga njerëz besnikë të zotit Maduro, e kishte shpallur presidentin si fitues të zgjedhjeve vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme presidenciale, autoritetet zgjedhore nuk dhanë detaje për numërimin e votave.

Por koalicioni opozitar i mblodhi të dhënat nga 80% e makinave elektronike të votimit të mbarë vendin dhe i postoi ato në internet. Zoti González dhe udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, thanë se të dhënat treguan se ish diplomati i fitoi zgjedhjet me dy herë më shumë vota se Presidenti Maduro.

“Ne e vlerësojmë thellësisht njohjen e vullnetit sovran të të gjithë venezuelianëve”, tha zoti González në një postim në rrjetin X menjëherë pas deklaratës së Sekretarit Blinken të martën. “Ky gjest nderon dëshirën për ndryshim të popullit tonë dhe arritjen qytetare që bëmë së bashku më 28 korrik”.

Zoti González u largua nga Venezuela në muajin shtator për të mërguar në Spanjë pas lëshimit të një urdhër arresti në lidhje me një hetim mbi publikimin e të dhënave nga qendrat e votimit. Zyra e shtypit të qeverisë së Venezuelës nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Presidenti Maduro dhe autoritetet zgjedhore kanë refuzuar thirrjet e përsëritura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kolumbia, Brazili dhe vende të tjera për të publikuar të dhënat e detajuara të votave që mbështesin rizgjedhjen e presidentit.

Kritikat e ashpra pas zgjedhjeve për mungesën e transparencës bënë që Presidenti Maduro t’i kërkonte Gjykatës së Lartë të Venezuelës, anëtarët e së cilës janë në linjë me partinë në pushtet, që të shqyrtonte rezultatet. Gjykata e Lartë konfirmoi fitoren e tij.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Qendrës Carter me seli në Shtetet e Bashkuara, që vëzhguan zgjedhjet me ftesë të qeverisë së zotit Maduro, dolën në përfundimin se rezultatet e shpallura nga autoritetet zgjedhore nuk ishin të besueshme. Mandati i ardhshëm presidencial në Venezuelë fillon më 10 janar.

About Krye Redaktor

Check Also

Protestuesit përplasen me policinë në Beograd, Vuçiq thërret takim urgjent

Në Novi Sad ka pasur një konflikt në mes të policisë dhe përfaqësuesve të opozitës, …