Mbyllja e Tik Tok nuk është masë, por maskë për surratin e qeverisë!

Nga Alfred LELA

Propozimi i z. Rama për të mbyllur Tik Tok-un dhe Snap Chat-in, dy platforma që përdoren edhe nga nxënësit në shkollat e vendit, ngjan, në pamje të parë, si një ide e arsyeshme…po të ishim në Danimarkë.

Por, Kryeministri ka kundër disa fakte, një pjesë e mirë e të cilëve lidhen vetëm me të.

Më i pari është se ai qeveris më shumë nëpërmjet rrjeteve sociale, platformave të massmedias apo komunikimit masiv, sesa drejtpërdrejt në format klasike të politikëbërjes, mbledhje kabineti, konferenca shtypi, takime me njerëzit etj.

Pra, ai është përpunues dhe promovues i një modeli, me lehtësinë e një adoleshenti, të cilin kërkon ta përmbysë me cilësinë e një Kryeministri.

Kjo sipërfaqësi e kryeministrit është vetëm sipërfaqja e hollë, e pacipë, dhe jo thelbi i problemit, i cili, së dyti dhe më së rëndësishmi, është një krizë modeli, njeriu dhe pushteti.
Edi Rama, si një ndër 4 politikanët kryesorë të tranzicionit pas-komunist, ka qenë shtytësi më i fuqishëm i një modeli anti-model në shoqëri.

Ai i ka dhënë përparësi dukjes para thelbit, aktivitetit para punës, suksesit para arritjes, triumfit politik para autoritetit publik. Duke pasë për mbi 20 vjet luksin e një makinerie propagandistike, të shtyrë nga mediat kryesore në vend, ai e ka projektuar këtë model, ku ndërthuren hajgarja politike me brutalitetin shtetëror, si ofertë qeverisëse me thelbin e vetëm: është e ndaluar të ndalosh (frazë e lëvizjes anarkisto-majtiste franceze të vitit ’68).

Kujdes: ‘liria’ e këtij slogani vetëm në sipërfaqe ka parasysh të tjerët, popullin; është dizajnuar për Ramën vetë dhe ata rreth tij. E vetmja liri që populli mund të gëzojë në kohën e Ramës është e shkapërderdhjes: mbillni drogë dhe shisni drogë-pra, liria e pasurimit të shpejtë nëpërmjet anti-modelit. E dyta e lirive, ajo e lëvizjes, më sak e braktisjes së Shqipërisë, e përkthyer trashë “nëse nuk ia dilni me drogë dhe në administratë, këpusni qafën!

Së treti, Rama, duke lejuar një liri fiktive, krijoi në vend një ndalesë efektive të përgjithshme për kundërshtarin politik, apo çdo formë opozicioni, përkundër mesazhit, imazhit dhe aktivitetit politik të tij dhe qeverisë.

Është dije klasike tashmë se Rama përdori, duke filluar nga 21 janari 2011 e në vijim, pa ndërprerje, elementin jopolitik në rrafshin politik (edhe në zgjedhje), duke kulmuar me futjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë si deputetë ‘të popullit’.

Më pas ai përforcoi një makinë elektoralo-politike që shtypte çdo rregull e ligjësi në favor të triumfit në zgjedhje. Një ndër viktimat e kësaj qasjeje ishin edhe dy institucione të shtetit: shkollat dhe policia.

Duke krijuar, në sistemin arsimor, modelin e brendshëm të promovimit të mësuesve dhe drejtorëve që kryejnë mirë rolin e operatorit elektoral; dhe më gjerë modelin e të fortit në qytet, Kuvend dhe shoqëri, Rama nuk i lejoi asnjë exit modeleve alternative. Modeli i tij ishte i vetmi, sepse ishte më i miri. Çdo model tjetër u bë anti-model. Duke u sjellë si anti-hero, Edi Rama krijoi heroin dhe shpalli anti-heronj gjithë të tjerët. Këtu e ka rrënjën edhe slogani “fajin e ka Saliu”, që u shpik si e vetmja alternativë e Ramës dhe Partisë Socialiste.

Në këtë linjë mendimi, sjellje apo modeli, Kryeministri e thjeshtëzoi debatin publik të mbushur me zinë e tri vrasjeve në pesë ditë, më e dhimbshmja, ajo e një fëmije shkolle, me frazën ‘fajin e ka Tik Tok-u”.

Asnjë përgjegjësi për sigurinë në shkolla, krijimin e modeleve anti-etikë, premtimet e qeverisë, policimin komunitar, e kështu me radhë.
Duke pasë në mendje sinoptikën politike më lart, nuk kemi pse presim sjellje të ndryshme nga Kryeministri.
Ai nuk e ka krijuar modelin, por është vetë modeli, është mishërim i tij.

Si në shprehjen e Anjshtanjit ku nuk mund të presësh rezultate të ndryshme prej së njëjtës metodë, as prej të njëjtit njeri/model nuk mund të presësh sjellje të ndryshuar.
Ky është Kryeminsitri që disa prej jush thoni se keni zgjedhuar/votuar, dhe disa të tjerë se është aty prej vjedhjesh/ manipulimesh elektorale.

Martin Cani, 14 vjeç, nxënës i “Fan Nolit”, fëmijë i prindërve të vet dhe i Shqipërisë, shok i vërsnikëve dhe viktimë e modelit shoqëror-jo vetëm e thikës-, nuk u vra në këtë debat që ne bëjmë prej kohësh me shkrim e me gojë.

Por, vdekja e tij lidhet pazgjidhshmërisht me këtë plagë shoqërore.

Atij që nuk i jepet, por merr, nuk jep as llogari. Vetëm kërkon. Nga të tjerët, kurrë nga vetja. Këtë here, si përherë, nuk po i lyp llogari opozitës, Saliut dhe as popullit, por Tik Tok-ut.

Të mbyllësh Tik Tok-un nuk është masë, është maskë për të fshehur trupin e përgjakur të Martin Canit dhe fytyrën e keqe të Ramës dhe ministreshave të tij që ngazëllenin kur në Kuvend kërkohej një minutë heshtje për 14 vjeçarin.

About Redaksia

Check Also

Vrasësi i Edukimit

Nga Luçiano BOÇI Nuk e mendoja që tronditjes së opinionit publik për vrasjen e nxënësit 14 …