Qindra prindër dhe fëmijë kanë reaguar për vrasjen e Martin Canit në derën e shkollës “Fan Noli” në Tiranë duke protestuar para Ministrisë së Arsimit.
Njëri prej prindërve është shprehur se kishte dalë të protestojë me qëllim që fëmijës së tij të mos i ndodhë ajo që i ndodhi Martinit.
Qytetari u shpreh që, nëse ministria e Arsimit mendon që maksimumi i saj është një fëmijë i vdekur, atëherë duhet të dorëhiqen dhe t’i lënë vendin dikujt tjetër që merr përsipër të bëjë punën.
“Kësaj proteste i jam bashkuar sepse kam një fëmijë në moshën e këtij djalit dhe nuk dua që fëmijës tim t’i ndodhë kjo gjë.
Dua që gjithsecili të marrë përgjegjësinë e vet, duke filluar nga mësuesja në klasë, institucionet, qeveria, ministria dhe të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të gjendet një fajtor real. Këtë kërkoj.
Absolutisht jo. Nuk ka asnjë mbajtje përgjegjësie nga institucionet, përkundrazi, nuk kemi as një deklaratë zyrtare nga asnjë lloj institucioni nga shkolla, nga oficerja e sigurisë në shkollë, nga policia, nuk kemi asnjë gjë, nuk dimë asnjë gjë.
Nëse maksimumi i ministrisë është një fëmijë i vdekur, duhet të japin dorëheqjen, të largohen, dhe të gjejnë dikë që mund të japë garanci dhe siguri për çdo prind në shkollë.
Shkollat nuk janë absolutisht të sigurta. Unë si prind nuk e shoh absolutisht të sigurtë, përderisa ne si prindër detyrohemi ti çojmë dhe ti marrim fëmijët nga shkolla, nuk ka asnjë lloj sigurie.
Duhet bërë shumë më shumë, në çdo lloj institucioni, jo vetëm tek oficerët e sigurisë.
Nuk është thirrur askush, as prindërit asnjë njeri, nuk ka siguri në shkolla.
Në momentin që unë e çoj dhe e marr fëmijën tim nga shkolla, do të thotë që unë nuk kam garanci tek ajo shkollë, nuk kam siguri për fëmijën tim që të vijë vetë në shtëpi”, tha qytetari.