Lideri i opozitës, Sali Berisha ka ngritur alarmin për paratë e krimit në vendin tonë, një alarm që sipas tij duhet të jetë në vëmëndje të autoritetit më të lartë bankar në vend, Banka e Shqipërisë.
Në konferencën e përjavfshme me gazetarët, Berisha tha se Banka e Shqipërisë, duhet të shpallë emergjencën kombëtare të intoksimit të ekonomisë nga narkoeurot.
Sipas kreut të PD, Berisha, kontejnerët, kamionët që vijnë me erë, po bëjnë miliarderë trafikantë dhe oligarkë, që po rrënojnë dhe varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët.
“Nuk mundet shteti kurrë t’i shesë me të njëjtin çmim energjinë elektrike atij që merr 180 euro me atij që merr 7 mijë si Dumani me kompani.
Ky disproporcion përbën një krim.
Ky diskriminim përbën një krim.
Dumanët marrin sa 70 pensionistë dhe pensionisti paguan energjinë elektrike me çmimin që paguan Dumani.
E njëjta gjë është me ujin.
E njëjta gjë është me shërbimin shëndetësor.
E njëjta gjë është me transportin.
E njëjta gjë është me të gjitha shërbimet publike.
Një skemë e re e shpërndarjes së të ardhurave, në të cilën shteti do marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje, që nuk ka, dhe ku do përfshihen edhe ata që janë me rrogë minimale.
A ka gjë më të padrejtë se sot të dalësh me tezën se do ulim çmimin e energjisë, që Balluku të bëhet edhe më e pasur, që Edi Rama të bëhet edhe më pasur, që Dumani të paguajë më pak dhe pensionistët të paguajnë njëlloj si ata?
A ka gjë më të padrejtë që ai që rrit tre fëmijë, të trajtohet njëlloj si ai që rrit një fëmijë?
Këto pabarazi çnjerëzore do marrin fund.
Ndaj dhe një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë do përgatisin për PD-në skemën e re të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike.
Kjo është skemë emergjence.
Kur dëgjon burra dhe gra të moshuar që kanë shkrirë jetën e tyre në punë dhe tani tregojnë se me pension nuk mbyllin dot jo muajin, po as 15 ditë, nuk mbyllin dot më shumë se dy vakte në ditë, kjo nuk është kurrë Shqipëria e tyre, kjo është Shqipëria që i ndëshkon ata.
Narkoekonomia është bërë një ndëshkim i madh për të varfrit e këtij vendi.
Narkoekonomia dhe i kërkoj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë Bankën Europiane, të gjitha bankat se narkoeurot po mbysin ekonominë shqiptare.
Të shpallë publikisht sundimin e narkoeuros në tregun monetar shqiptar.
Nuk mund të spekulohet kjo, jo turizmi, jo ajo.
A e dini se euro sot është 98 lekë? Kjo do të thotë 40 përqind zhvlerësim i remitancave që u dërgojnë emigrantët familjeve të tyre.
Dhe me cinizëm ekstrem, Edi Rama kur u leverdis, i llogarit me euro, dhe kur nuk i intereson, i llogarit me lekë.
Banka e Shqipërisë duhet të shpallë emergjencën kombëtare të intoksimit, të sofokimit të ekonomisë nga narkoeurot dhe të jetës së qytetarëve nga narkoekonomia.
Kontejnerët, kamionët që vijnë me erë, po bëjnë miliarderë trafikantë dhe oligarkë, po rrënojnë dhe varfërojnë gjithnjë e më shumë shqiptarët.
Po vrasin pasivisht vendet e punës, sepse kanë shkatërruar eksportin, i cili është gjeneratori kryesor i prodhimit”, u shpreh Berisha.