Ish-deputeti i Partisë Konservatore britanike në vitet 2010-2024, Henry Smith ka përshëndetur qytetarët në tubimin e përnatshëm tek Rruga e Shpresës.
Smith është njëkohësisht edhe ish-drejtues kryesor në departamentin e Marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Britanik në vitet 2020-2024.
Fjala e Henry Smith
Përshëndetje! Unë jam Henry Smith dhe që nga viti 2010 deri në fillim të këtij viti kam qenë anëtar i Parlamentit në Mbretërinë e Bashkuar dhe anëtar i Komitetit për Punët e Jashtme.
Kam punuar për një kohë të gjatë me Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Alfred Pllumbi, është dikush me të cilin kam bashkëpunuar për shumë vite. U ndjeva shumë i lumtur që vizitova Shqipërinë në prill të vitit të kaluar dhe takova Dr. Berishën, i cili ishte dhe ende është, për fat të keq, në arrest shtëpiak për arsye politike dhe si rrjedhojë nuk mund të jetë sot në Londër me ju.
Mendoj se është një nismë shumë e mirë që tani shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë të mund të votojnë në zgjedhjet kombëtare, që po bashkoheni për të kundërshtuar narrativën socialiste dhe të majtën, që ka bërë kaq shumë dëm në Shqipëri gjatë shumë viteve dhe, në fakt, edhe në pjesë të tjera të Evropës.
Po shohim një ringjallje të vërtetë të konservatorizmit në mbarë botën. Natyrisht, sapo kemi parë rezultatet e shkëlqyera të zgjedhjeve presidenciale në SHBA-të dhe zgjedhjen e Donald Trump si president.
Shpresoj që kur të mbërrijnë zgjedhjet në Shqipëri në vitin 2025, Partia Demokratike, konservatorizmi dhe një rrugë e arsyeshme dhe me sens të përbashkët përpara të jenë fitimtare. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse të gjithë votuesit, si brenda Shqipërisë ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, në të gjithë Evropën dhe botën, sigurohen që të votojnë për Partinë Demokratike dhe të mbështesin Dr. Berishën, në mënyrë që të kemi një të ardhme pozitive, një të ardhme drejt rritjes dhe lidhjesh më të mira ndërkombëtare midis Tiranës, Londrës dhe pjesës tjetër të botës.
Kështu që ju uroj të gjithëve më të mirat në takimin tuaj këtë mbrëmje dhe gjithashtu dërgoj përshëndetjet e mia më të mira për Dr. Berishën, dhe falënderoj Alfred Pllumbin për organizimin e këtij takimi dhe për ftesën që më bëri, që të dërgoj këtë mesazh për ju sot.