Një oficer policie ekzekutoi biznesmenin, Eduart Reçi, emrat dhe motivi

Policia e Shtetit ka zbardhur ditën e sotme vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi, i cili u vra me armë zjarri në rrugën “Faik Konica”.

Raportohet se autoritetet kanë arrestuar dy vëllezër të dyshuar si autorë të ngjarjes, të identifikuar si Florjan dhe Shkëlqim Duka. Ky i fundit shërbente edhe si oficer policie.

Hetimet zbuluan se viktima kishte pasur një konflikt mbi pronësinë e truallit të ndërtimit, që ndodhej pranë pronës së vëllezërve, me të cilët kishte pasur diskutime lidhur me këtë çështje.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar prova të rëndësishme, përfshirë një armë zjarri të dëmtuar dhe një sërë pajisjesh që përdoren për prodhimin e silenciatorëve, si dhe jelekë antiplumb dhe pajisje elektronike.

Në zbatim të një vendimi gjyqësor, më 23 nëntor 2024, janë realizuar kontrolle në shtëpitë dhe lokalet e dy vëllezërve, ku janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale që vërtetojnë lidhjen e tyre me ngjarjen.

Sipas autoriteteve Eduart Reçi po përpiqej të ndërtonte një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, ishin edhe vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Duka

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.

Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha: Nga zëri juaj guximtar u denoncuan vjedhjet e kryeminstrit, familjarëve të tij dhe narkoministrave

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, nga zëri juaj guximtar në “Rrugën e Shpresës” …