Ja pse Rama e ka humbur qetësinë!

Në shtator të këtij viti, Edi Rama u shfaq jo pak i shqetësuar pas një takimi me drejtuesit politikë të qarqeve. Kjo sepse, pas një sondazhi të brendshëm të zhvilluar nga vetë PS, rezultonte një erozion jo i vogël i votuesve të partisë së tij.

Një burim në PS i tha SYRI-t se sipas këtij sondazhi të kryer vetëm me votues të PS që kishin votuar këtë subjekt politik në vitin 2021, 30% e të intervistuarve janë treguar të prerë në përgjigjet e tyre mohuese për të rivotuar sërish për Edi Ramën dhe forcën e tij politike. Ajo çka e bënte me shqetësuese këtë sondazh për Ramën ishte fakti, se përgjigjet mohuese vinin më së shumti nga qarqet ku ai i konsideron si bastione të tij, si fjala vjen Fieri apo Vlora. Por pas nuk mbeteshin as qarqet e mëdha si Tirana Durrësi apo Elbasani.

Kjo situatë do të sillte shkarkimin e disa drejtuesve të qarqeve si Vlorë, Fier apo Shkodër, dhe shtimin e dy emrave të tjerë në Tiranë, krahas Erjon Veliajt, duke i shtuar Spiropalin dhe Manastirliun (së fundmi në vend të Veliajt ka caktuar Blendi Gonxhen).

Rënia me 30% do ishte një katastrofë jo e vogël në zgjedhje për Partinë Socialiste, pasi në thesin e atyre që votojnë në rresht do të thotë se i mungojnë të paktën 150-200 mijë vota (pa llogaritur votat e manipulara).

Pështjellimi që ka sjellë kjo situate duket se e ka shqetësuar jo pak Edi Ramën.

Gjëja e parë që ka bërë, është të kthejë sytë nga vota e emigrantëve. Duke qenë se shumë prej tyre, pavarësisht se gëzojnë nënshtetësi shqiptare ose janë lindur e rritur atje, ose kanë ikur shumë të vegjël, duke mos e njohur dhe aq mirë realitetin shqiptar, janë menduar nga zyra e propagandës së mazhorancës si pre e lehtë për tu peshkuar në zgjedhje. Brenda pak muajsh për shembull Rama bëri dy takime në Greqi, një në maj në Athinë dhe një në nëntor në Selanik, ku nuk ngurroi të përdorte dhe gjuhë nacionaliste për të turbulluar sa më shumë mendjen e shqiptarëve atje.

Më tej, do të vijonte me takime të tjera në Itali, SHBA, New York, apo dhe ai së djelës në Angli, Londër. Në dy takimet e fundit nuk ka marrë atë që priste, pasi shqiptarët e atje e pritën me protesta dhe thirrje kundër qeverisë së tij. Situata degradoi sidomos në takimin e Londrës ku viktimë e dhunës së militantëve dhe bandave të Ramës, u bënë dhe fëmijët.

Situata ishte aq e nderë, sa vendi i takimit u vendos nën masa të rrepta nga policia e Scotland Yard. Një imazh që nuk do e donte asnjë politikan i asnjë vendi. Edi Rama, bëhet kështu ndoshta lideri i vetëm në  botë që organizon takime elektorale jashtë vendit të tij, duke qenë se i mungojnë votat për të qeverisur në vendin e tij.

Të dytët që Rama kërkon t’i joshë janë pensionistët.

Përgjithësisht kjo kategori, sidomos ata që kanë një moshë mbi të 70 vjeç kanë qenë votues besnikë të PS. Duke qenë një shtresë që gënjehet lehtë, Rama kërkon t’i joshë në festat e fundvitit me bonuse prej 10 apo 15 mijë lekësh, e cila do të ndahet në dy apo tre pjesë. Pasi i talli me “rritje” pensionesh, pasi u hoqi në një masë të madhe rimbursimet e ilaçeve, apo pasi u çon në derë faturat e fryra të energjisë, ka bërë që kjo shtresë të revoltohet, një akt ky i cili rrezikon ta lerë në baltë Ramën, pikërisht në ditën më të keqe të tij. Në fakt kjo është një praktikë që Rama e ndjek sa herë që ka zgjedhje. Kështu ka vepruar me këtë kategori dhe në zgjedhjet e kaluara lokale, ku kryeministri u dha si shpërblim pak muaj para zgjedhjeve bonuse të ngjashme. Nga ana tjetër, Rama u ka premtuar dhe një lloj indeksimi në prill të 2025-ës pikërisht kur pritet të jetë dhe kulmi i fushatës elektorale. Një shkelje e hapur e ligjit, për të cilin KQZ deri më tani nuk është shprehur.

Duket qartë se Rama në këto zgjedhje do hedhë para pa hesap nga buxheti i shtetit.

Ministër për diasporën dhe koordinues ka lënë Taulant Ballën, një nga njerzit më të përfolur për manipulimin e zgjedhjeve. Duket se kryeministri e ka humbur toruan. Dhe kjo lloj paranoje ka bërë që të sulmojë cilindo që ai e konsideron si rrezik për ta rrëzuar nga froni, të cilin nuk e lëshon që prej 2013-ës. Themi nuk e lëshon, pasi Rama nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje parlamentare.

Në vitin 2013 fitoi falë marrëveshje me Metën, pavarësisht se asokohe rrahu gjoksin se ka marë 1 milionë vota. Në fakt partia e tij mori vetëm 713 mijë vota, që i përktheheshin në 65 mandate thuajse aq sa mori në vitin 2009, por ishte LSI sot PL, që i dha koalcionit të majtë plot 16 mandate. Rezultati i asaj kohe në rast se Meta s’do kish bërë atë lëvizje, do ishte diku tek 74-66 në favor të koalicionit të djathtë.

E njëjta gjë pak a shumë ndodhi dhe në vitin 2017, ku përçarja e opozitës do çonte në mijëra vota dëm. Rama sërish arriti të shpallej fitues për shkak të sistemit. LSI e asaj kohe u fut e vetme në zgjedhje dhe rriti numrin e votave me rreth 40 mijë të tilla duke e çuar në 222 mijë vota që duhej të përkthehej në 22 deputetë. PDIU arriti të merrte 71 mijë vota që iu përkthyen vetëm në tre mandate për shkak të sistemit. Në total e djathta arriti të fitonte në votë popullore rreth 750 mijë vota në krahasim me 738 mijë vota që arriti të merrte Edi Rama. Po për shkak të sistemit, Rama arriti në 74 mandate, pasi PS kandidonte e vetme.

Në vitin 2021 Rama do prishte skemën e cila e solli në pushtet, duke ndaluar koalicionet. Dhe ishte pikërisht ndërhyrja në sistem dhe manipulimet e shumta që do e mbanin Ramën sërish në pushtet. LSI sot PL, arriti të merrte 100 mijë vota, që iu përkthyen në vetëm 3 mandate, aq sa mori dhe Tomë Doshi me PSD me 35 mijë vota. Për shkak të paaftësisë të Lulzim Bashës për të maksimizuar votën, opozita do të lëshonte mandat në të paktën 6 qarqe. Kështu, për një grusht votash u lanë mandatet në Berat, Gjirokastër, Korçë, Durrës, Fier, Vlorë apo dhe Tiranë. Në 2021, opozita e bashkuar arriti të merrte 63 deputetë, ndërsa vetë Rama 74. Por në rast se do merreshin dhe qarqet e mësiperme rezultati i Ramës nuk do ishte më shumë se 68 deputetë dhe qeverisja do vendosej nga tre votat e Tomë Doshit, por të drejtën për të formuar qeveri do e kishte Lulzim Basha.

E bëmë këtë panoramë të zgjedhjeve për të treguar, se shifrat që jep Rama, apo dhe sondazhet e stisura nga a e majtë janë larg realitetit. Në zgjedhjet e vitit 2023, PD e përçarë, pa sigël, vulë, financim dhe pa komisionarë, arriti të merrte më shumë se 520 mijë vota. Kanë qenë pikërisht këto arsyet që Rama veç manipulimeve ka kthyer dhe sytë ndaj dhunës, qoftë asaj shtetërore qoftë asaj të bandave siç u pa në takiumin e Londrës. Burgosja e Berishës, Metës apo Salianjit pa asnjë akzuë duket qartazi se janë pjesë e metodave të tij manipuluese, por dhe frikës e paranojës që ka se mund të humbasë zgjedhjet, ose të asaj që në gjuhën e futbollit quhet “golden gol”. Rasti i zgjedhjeve të Himarës është mjaft domethënës, ku megjithëse provoi çdo lloj forme manipulimi, madje dhe burgun për kandidatin e opozitës sërish nuk arriti ta fitonte atë bashki në zgjedhjet e 2023-it. U desh ndërhyrja e gjithë makinërisë shtetërore, dhe e gjithfarë formash manipulimi dhe dhune për ta rimarrë mbrapsht në gushtin e 2024. Frika se kjo disfatë mund t’i ndodhë në të gjithë vendin, duket se ka ndikuar jo pak në veprimet e çartura të kryeministrit.

Pra për të gjithë ata që thonë së Rama i ka punët mbroth në 2025, faktet flasin të kundërtën. Pavarësisht manipulimit të opinionit publik ka një deduksion logjik. Në rast se Ramës i duhet të bëjë shpikje pas shpikjesh për të sajuar votat që e mbajnë në pushtet, opozita nga ana e saj ka favorin e një terreni të lirë votash.

About Redaksia

Check Also

O ne, o Franca, nuk e kemi dhe aq “euro-atlantike” drejtësinë…

Nga Gent STRAZIMIRI O ne, o Franca, nuk e kemi dhe aq “euroatlantike” drejtësinë… Një lajm …