Mashtrimi i regjimit me rritjen e çmimeve të bulmeteve, ja hedh fajin fermerëve dhe fshehin importet serbe

Oligarkët e bulmetit kishin paralajmëruar trenjtimin e produkteve që shesin-qumështit që do ua shesin fermerët shtrenjtë, me zanafillë në rritjen e çmimit të naftës. Këtu del në pah hiookrizia e madhe e Autoritetit të Konkurrencës dhe prodhuesve të bulmetit, pasi të gjitha produktet e kompanive të tyre prodhohen me qumësht pluhur ose me qumësht të importuar nga Serbia.

Dëshmitarë që produktet e bulmetit të kompanive shqiptare kanë në përbërjen e tyre qumësht pluhur janë çdo konsumator shqiptar. Ky fakt është i dallueshëm që në shije e nuk është nevoja që këta prodhues ta deklarojnë në etiketën e përbërësve… por megjithatë qumështi i importuar serb vjen shumë herë më lirë se ai vendas dhe është produkt bazë për prodhimin e bulmetit shqiptar, pavarësisht se këta oligarkë ia faturojnë rritjen e çmimit dy komponentëve zinxhir.

Si mashtron Autoriteti i Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj ndërmarrjeve që prodhojnë bulmetra si Erzeni, Gjirofarma, Luftra dhe Shaka Boboshticë për rritjen e çmimit të qmështit dhe nënprodukteve të tij.

Pas hetimit Konkurrenca ka dalë në përfundimin se arsyeja kryesore e shtrenjtimit të bulmetrave janë fermerët, të cilët kanë rritur çmimin e qumështit të freskët. Po kështu, Konkurrenca thotë se ndërmarrjet e përpunimit të qumështit nuk shfaqin shenja të koordinimit mes tyre duke mos vërejtur shenja të një marrëveshje ose sjellje të bashkërenduar midis tyre.

Njoftimi i plotë i Konkurrencës

Në datën 07.11.2024 Autoriteti i Konkurrencës, mbylli procedurën e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë)”. Gjatë periudhës së hetimit pas analizimit të të dhënave të shumta u konstatua se:

Nuk ekzistojnë barriera ligjore për në këtë treg të ndërmarrjeve të reja. Çdo ndërmarrje që zotëron mundësi ekonomike është e lirë të hyjë në treg dhe të konkurrojë dhe aktualisht asnjë ndërmarrje nuk ka pozitë dominuese në tregun përkatës. Në nën tregjet e shitjes së djathit dhe gjalpit konstatohet ekzistenca e konkurrencës potenciale me fuqi kundërvepruese të blerësve;

Për vitin 2023[1], referuar anketës së vrojtimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të publikuar nga INSTAT, vihet re se sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar nga të gjitha llojet e bagëtive është rreth 101 mijë tonë, nga të cilat 80 mijë ton janë qumësht lope, 13 mijë ton qumësht dele dhe rreth 8 mijë ton janë qumësht dhie.

Nga krahasimi i të dhënave konstatohet se ka një ulje të sasisë së grumbulluar të qumështit të lopës, sasi e cila për vitin 2023 ka pësuar një rënie me rreth 14 mijë ton referuar vitit 2021. Ndërsa për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, qumështi i lopës ka një rënie sipas sasisë së grumbulluar me 7 mijë ton, ose rreth 9%. Nga të dhënat e analizuara në procedurën hetimore konstatohet se, për prodhimin e 1 kg djathë (të bardhë ose kaçkavall) duhen 8 deri në 9 litra qumësht. Kjo sasi përbën dhe 80% të kostos së prodhimit të këtij nënprodukti.

Sasia totale e qumështit pluhur të importuar për vitin 2022 është 1,290,875 kg për vitin 2023 është 997,650 kg dhe janar-qershor 2024, është 317,689 kg. Nga konstatimet gjatë inspektimeve rezulton se ndërmarrjet nën hetim nuk përdorin ose përdorin shumë pak qumësht pluhur për nënprodukte të tjera të qumështit që nuk janë objekt i këtij hetimi (kos me fruta, salcë kosi etj.);

Për produktin djathë nga qumështi i lopës ndërmarrjet nën hetim zënë rreth 9.7% për vitin 2022 dhe rreth 15% për vitin 2023 të sasisë së prodhuar të tregut në nivel kombëtar; për produktin djathë nga qumështi i deles, rreth 18 % për vitin 2022 dhe rreth 17% për vitin 2023 të sasisë së prodhuar të tregut në nivel kombëtar; për produktin djathë nga qumështi i dhisë, rreth 33% për vitin 2022 dhe rreth 24% për vitin 2023 të sasisë së prodhuar të tregut në nivel kombëtar, ndërsa për produktin gjalpë, ndërmarrjet nën hetim zënë rreth 28% për vitin 2022 dhe rreth 52% për vitin 2023 të sasisë së prodhuar të tregut në nivel kombëtar. Duhet theksuar se përtej përqindjeve të mësipërme informaliteti i lartë në këtë industri (rreth 89% sipas Shoqatës “Industria e Përpunimit të Qumështit”) është një faktor serioz që pengon vlerësimin sa më efektiv të konkurrencës në pamundësi të gjurmueshmërisë së produktit;

Në lidhje me rritjen e çmimit (kryesisht gjatë vitit 2022) konkludohet se arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të nënprodukteve të qumështit është rritja e çmimit të qumështit të freskët nga fermerët, i cili është lëndë e parë për nënproduktet që prodhohen.

Sipas fermerëve arsyet e rritjes së çmimit të qumështit janë: rritja e kostos së bazës ushqimore të bagëtive; zvogëlimi i numrit të krerëve, e cila konfirmohet dhe nga statistikat e INSTAT, sepse ka rënë numri i krerëve që mbarështohen në vendin tonë; rritja e çmimit të plastikës (ambalazhi), karburantit, gazit dhe energjisë elektrike. Pavarësisht sa më sipër në vlerësimin e çmimit mesatar mujor të blerjes nga ndërmarrjet Erzeni shpk, Gjirofarma sha dhe Shaka Boboshticë shpk rezulton të ketë çmime të përafërta (ndryshon në intervalin nga 1.1 lek deri në 4.58 lek ) gjatë muajve Janar, Shkurt, Mars të vitit 2022.

Në Qershor, Korrik dhe Tetor të vitit 2022 dhe në Nëntor të 2023 vihet re një çmim shumë i përafërt blerje (ndryshon në intervalin nga 0.6 deri në 1.7 lek) nga ndërmarrjet Shaka Boboshticë dhe ADG. Në Shkurt dhe Dhjetor të vitit 2023 vihet re një çmim shumë i përafërt (ndryshon në intervalin nga 0.3 lek deri në 1.3 lek) blerje nga ndërmarrjet Gjirofarma dhe ADG. Për periudhën janar-qershor 2024 vihet re që në muajin qershor të gjitha ndërmarrjet kanë çmimin blerës më të lirë për vitin. Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të blerjes së qumështit të lopës dhe dhisë për ndërmarrjet Erzeni SHPK, ADG SHPK, SHAKA Boboshticë SHPK dhe Gjirofarma SHA vihet re se janë të ndryshme nga njëra – tjetra me diferenca që kanë variuar nga 0,3 – 46% për qumështin e lopës dhe nga 0.3 % – 27 % për qumështin e dhisë përgjatë periudhës hetimore, duke mos vërejtur shenja të një sjellje të bashkërenduar në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”;

Ndërmarrjet nën hetim për periudhën hetimore furnizimin me lëndë të parë qumësht e kanë realizuar tek fermerë të ndryshëm në zona të ndryshme gjeografike dhe si rezultat nuk kanë përdorur furnizime të përbashkëta në kuptim të nenit 4 pika b, c të ligjit nr. 9121/2003;

Në lidhje me normën e fitimit për vitin 2023 ndërmarrjet që operojnë në nën tregjet e prodhimit dhe shitjes së produkteve djathë dhe gjalpë kanë një normë fitimi deri ne 13.8%, ndërkohë që ndërmarrjet nën hetim: ERZENI SHPK, ADG SHPK, GJIROFARMA SHA, SHAKA BOBOSHTICË SHPK rezultojnë me normë fitimi nga 2% deri në 7%, pra më të vogël se 10%;
Në lidhje me çmimet mesatare mujore të shitjes së produktit djathë kaçkavall dele, të aplikuara nga ndërmarrjet ERZENI SHPK, ADG SHPK, SHAKA BOBOSHTICË SHPK dhe GJIROFARM SHA, analiza e realizuar konfirmon se janë të ndryshme nga njëra – tjetra me diferenca që kanë variuar nga 1% – 64% përgjatë periudhës hetimore dhe ritmi i ndryshimit të tyre është i ndryshëm; nëpërmjet të njëjtës analizë rezulton gjithashtu se çmimet mesatare mujore të shitjes së produktit djathë i bardhë dele të aplikuara nga ndërmarrjet Erzeni SHPK, Shaka Boboshticë SHPK dhe Gjirofarm SHA janë të ndryshme nga njëra – tjetra përgjatë periudhës hetimore dhe ritmi i ndryshimit të tyre është i ndryshëm, duke mos vërejtur shenja të një sjellje të bashkërenduar në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në përfundim të hetimit të thelluar, pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit të administruar gjatë procedurës hetimore si dhe analizës së sjelljes së ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të produkteve djathë i bardhë lope, djathë i bardhë dele, djathë i bardhë dhie, djathë kaçkavall lope, djathë kaçkavall dele dhe gjalpë lope, për sa i përket analizës së konkurrencës: strukturës së tregut, çmimeve të shitjes me shumicë dhe fuqisë ekonomike financiare, rezulton se nuk janë gjetur evidenca direkte dhe indirekte të bashkëpunimit midis ndërmarrjeve, duke mos vërejtur shenja të një marrëveshje ose sjellje të bashkërenduar midis tyre, sipas parashikimeve të nenit 4 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Gjithashtu, duke marrë parasysh kriteret e vlerësimit të pozitës dominuese, si: pjesën e tregut të ndërmarrjeve, barrierat për hyrjen në treg, konkurrencën potenciale, fuqinë kundërvepruese të blerësve, fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve, bazuar në nenin 8 të ligjit nr. 9121/2003, rezulton se nuk ka ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës, për rrjedhoje nuk jemi në kushtet e zbatimit të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003. Pavarësisht sa më sipër, problematikat e ndeshura gjatë hetimit kërkojnë marrjen e disa masave nga institucionet përkatëse. Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 1131, në vijim të mbylljes së hetimit, vendosi edhe:

T’i rekomandojë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit:

Të përforcojë rolin e tij për zbatimin me rigorozitet të kontrolleve përsa i përket cilësisë dhe parametrave mikrobiologjikë të qumështit si lëndë e parë.
T’i rekomandojë Ministrisë së Financave:
Të ndërmarrë nisma për një “Strategji të integruar në luftën kundër informalitetit” si institucioni kompetent dhe përgjegjës për parandalimin dhe luftimin e informalitetit në treg.
T’i rekomandojë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që:
Të ndërmarrë nismën për hartimin dhe rishikimin e akteve nënligjore të dala në zbatim të ligjit nr. 9441, datë 11.11.2005, me qëllim rregullimin e tyre dhe rritjen e konkurrencës në treg, bazuar në problematikat e konstatuara në tregun e prodhimit dhe tregtimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij;
Të ndërmarrë nismën për krijimin e një baze të dhënash për monitorimin e çmimeve me pakicë të produkteve të shportës (nënprodukteve të qumështit), me qëllim rritjen e konkurrencën përmes transparencës dhe krahasueshmërisë më të mirë të këtyre çmimeve online.

About Krye Redaktor

Check Also

Çmimet e produkteve bazë rriten deri në 9 herë më shumë se inflacioni

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore, deri në 9 herë më shumë se inflacioni, është …