Anëtari i kryesisë së PD dhe drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme.
Pas daljes nga SPAK, Këlliçi ka ndarë me mediat informacionet e tij dhe kërkesat që ka drejtuar ndaj organit të akuzës. Këlliçi ka folur për përfshirjen e disa individëve të rëndësishëm në këtë aferë dhe ka kërkuar hetimin e thellë të disa personave, përfshirë administratorin Nestor Muhametllari.
Ai ka vazhduar gjithashtu të kritikojë SPAK për mungesën e veprimeve ndaj aferës së inceneratorëve dhe lidhjet e mundshme me figura të njohura politike. Sipas Këlliçit, kjo çështje, si dhe ato të tjera korruptive, duhet të hetohen me seriozitet dhe transparencë.
“Kam 13 muaj që e bëj publike në mënyrë të përditshme aferat korruptive dhe vjedhjen galopante në Bashkinë e Tiranës.
Sot u paraqita në SPAK, në vijim të kërkesës së prokurorit të çështjes së dosjes 5D, z. Klodian Braho, ku pata një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me oficerin e caktuar prej tij të Policisë Gjyqësore, në lidhje me dosjen famoze 5D.
Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor dhe që më është kërkuar nga organi i akuzës që të mos i bëj publike, sigurisht që nuk kam ndërmend t’i bëj publike. Por padyshim dua të ndalem pak te kërkesa ime dhe te deklaratat e mia të dhëna edhe para organit të akuzës.
Vijoj t’i qëndroj fort kërkesës për zbatimin e të gjithë rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, të dhëna para pak muajsh, në të cilat kërkohet hetimi i shtetases Jona Bejko, e cila ka deklaruar në komunikimet e saj private, tashmë të bëra publike, se hoteli me vlerë 50 milionë euro në Durrës ka si aksioner “Lali Erin”. Të na e sqarojë organi i akuzës kush është “Lali Eri” për të gjithë qytetarët shqiptarë që ende nuk e dinë.
Kam kërkuar në mënyrë të veçantë të hetohet roli i prestanomes, administratori Nestor Muhametllari, i cili është i vetmi prestanomë de facto, që është i lirë dhe ndaj të cilit nuk ka ende asnjë masë. Duhet të hetohet cili ka qenë roli i këtij individi, pasi mendoj se dëshmia e tij mund të shërbejë si një moment kyç për zbardhjen e kësaj afere.
Vijoj ta kritikoj SPAK-un në raport me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Nuk kam si të mos e kritikoj, kur sot që flasim, ne që jemi këtu paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Kanë kaluar 4 vite nga hapja e kësaj çështjeje, dhe prokuroria ende ka frikë t’i përmendë emrin Erion Veliajt”, u shpreh Këlliçi.