Fiqiri Meçe, babai i shokut të 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u plagos gjatë konfliktit dhe që momentalisht ndodhet në spital ku po merr ndihmën mjekësore, ka zbuluar se autorë të ngjarjes janë dy, dhe jo vetëm M. P. ndaj të cilit është marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”.
Megjithëse ai ka denoncuar me emër dhe mbiemër autorin e dytë të përfshirë në krim, ai po fshihet nga policia sepse babai i tij është hetues në SPAK
Ai u shpreh se djali i ka rrëfyer gjithçka, ashtu siç ia ka treguar edhe autoriteteve policore, se autori i dytë ka pasur një thikë me të cilën ka goditur, që ka qenë më e vogël se ajo që i mori jetën 14-vjeçarit Cani.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Open në News 24 ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Lala tha se rezulton se dy grupe fëmijësh janë përleshur me njëri-tjetrin. Ajo tha se edhe Martini, edhe autori i krimit kanë qenë të shoqëruar nga persona të tjerë, bashkëmoshatarë. Lala deklaroi se shoku i autorit të dyshuar të ngjarjes është djali i një hetuesi të SPAK. Më tej, Lala deklaroi se deri tani grupi hetimor ka dalë në përfundimin se autor i ngjarjes ka qenë vetëm një person, ndërsa akt-ekspertimi do të tregojë të vërtetën.
Klodiana Lala: Çdo prind duhet t’i bashkohet protestës. Pas vrasjes së Martin Canit, po mbahen nën vëzhgim ambientet e jashtme të shkollave. Fatkeqësisht, që të bëhej kjo, duhet të ndërronte jetë një 14-vjeçar. Mendoj se reagimi është me vonesë. Ka çdo ditë konflikte në shkolla, situata është alarmante. Protesta për vrasjen e adoleshentit nuk duhet të jetë me ngjyrime politike. Nëse një mësues del te protesta, të nesërmen nuk është më në punë. Mësuesit frikësohen të dalin në protestë.